Dështon seanca për “Veteranët mashtrues”
Ka dështuar të mbahet seanca e parë në lidhje me aktakuzën për fryrjen e listave me “veteranë të rrejshëm”. Arsyeja për shtyrjen e kësaj seance ka qenë mungesa e Rrustem Berishës dhe avokatit të tij.
Në seancën e sotme do të diskutohej në lidhje me propozimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masë të përkohshme për ndalimin e pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent./Express