24-11-2024

Dështon sërish seanca ndaj të akuzuarve për mashtrim me viza pune në Prizren

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar përsëri seanca gjyqësore ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të akuzuar për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi.

Shkak i mosmbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Fidan Hoxha konstatoi se nuk janë prezent kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, për të cilin tha se është në pushim mjekësor.

Po ashtu, gjykatësi Hoxha konstatoi se nuk janë prezent  prokurori Afrim Shefkiu dhe të akuzuarit me avokatët e tij, pasi që paraprakisht ata ishin njoftuar që seanca nuk do të mbahet.

Në këto rrethana, gjykatësi Hoxha njoftoi  se seanca e sotme nuk do të mbahet, e njëjta u caktua për 20 janar 2021, në ora 10:00.

Me aktgjykim e shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, më 9 janar 2020, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani, ndërsa i akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha, ishte shpallur edhe aktgjykim plotësues, konfiskimi i pasurisë, konkretisht një shtëpi, një veturë “BMË X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj, i është konfiskuar një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Po ashtu, për këtë rast ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Veprim Rexhepi, i cili akuzohej se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa Gjykata e Apelit, këtë rast e ka kthyer në rigjykim vetëm ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të cilët kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.