Dështon shqyrtimi fillestar për vrasjen te “Transiti i ri” në Prizren
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, përsëri ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, të akuzuar për vrasje të rëndë të Mendim Kurtishaj, në maj të këtij viti.
Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Orhan Ademaj, avokatit Blerim Mazreku, për të cilin kryetarja e trupit gjykues deklaroi se ka marrë një shkresë përmes të cilës avokati Mazreku e ka njoftuar se nuk është në gjendje të mirë shendetësore dhe nuk mud të jetë i pranishëm në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas që nuk pati kushte për mbajtjen e kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi njoftoi se seanca e radhës do të mbahet me 25.01.2021 në ora 09:00.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur me 30.10.2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se të me 01.05.2020 rreth orës 14:30 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj.
Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III” , të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë të ndjerin Mendim Kurtishaj, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës, ku vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë”.
Gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit të cilët kanë qenë në veturën e tyre dhe kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transit i ri ” në Prizren e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë për skaj rruge ku është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën pas së cilës i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit Mendim dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit , pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardh auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren , me ç’rast është vërtetuar se i njejti në emergjencë ka arritur pa shenja jete , sipas raportit të mjekut kujdestar, të datës 01.05.2020.
Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”./BetimipërDrejtësi