20-04-2024

Dështon shqyrtimi në gjykimin për rastin “Abi Çarshia” në Prizren

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet seanca ndaj të pandehurve Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, të cilët po akuzohen për rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren.

Shkas për mosmbajtjen e kësaj seance, ishte mungesa e të akuzuarve Jetmira Vrenezi, Isë Bislimaj dhe Egzona Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kymete Kicaj konstatoi se nuk janë prezent të akuzuarit Vrenezi, Bislimaj dhe Morina, duke shtuar se gjykata ka prova se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

LEXO edhe:

Prizren: Ngritet memoriali kushtuar Ekrem Rexhës-komandant “Drinit” (FOTO)

Lidhur me këtë, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se të pandehurit të cilët nuk janë sot prezent në gjykim, ai kërkoi nga gjykata që ndaj tyre të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë, me arsyetimin se mos ardhja e tyre e prolongon procedimin e kësaj ç’ështje penale.

Gjithashtu, prokurori Sefa tha se paraqet vërejtje për mungesën e mbrojtësit të akuzuarës Egzona Hoxha, avokatit Valdet Hoxha.

Në këto rrethana, mbrojtësi i të akuzuarës, Jetmira Vrenezi, avokati Ardian Morina deklaroi se e mbrojtura e tij nuk ka mundur të jetë prezent në gjykim, me arsyetimin se e njëjta sot ka ditën e martesës.

Pas këtyre, trupi gjykues mori aktvendim për mos mbajtjen e këtij shqyrtimi, i njëjti u caktua të mbahet më 14 dhe 15 dhjetor 2020, në ora 10:00.

Pas përfundimit të seancës, paraqitet në sallë të gjykimit e pandehura Egzona Morina Thaqi, ku vonesën e arsyetoi se në ftesën e dërguar, ora e gjykimit i shënon në ora 10:00, e që në fakt gjykimi ka qenë me orar në ora 09:30 minuta.

Gjykatësja Kicaj njoftoi se ndaj të pandehurve Jetmira Vrenezi dhe Isë Bislimaj, lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, duke i ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.