19-04-2024

Dështon tenderi i Komunës për dekorimin e Prizrenit për Vitin e Ri

Komunës së Prizrenit i ka dështuar tenderi për dekorimin e qytetit për Vitin e Ri, ndërsa mjetet e parapara për këtë qëllim do të përdoren për shpenzimet e krijuara për shkak të strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri, raporton Gazeta e Prizrenit.

Në njoftimin e Komunës, thuhet se pas të gjitha përgatitjeve të cilat i ka bërë Komuna e Prizrenit për realizimin e projektit për dekorimin e qytetit, gjatë procedurave tenderuese operatorët ekonomikë kanë bërë gabime të patejkalueshme ligjore dhe rrjedhimisht Komuna është obliguar që ta bëjë anulimin e tenderit.

“Fatkeqësisht këtë vit nuk do të ketë dekorim të tenderuar nga Komuna e Prizrenit dhe mjetet të cilët janë paraparë nga ky kod buxhetor do të përdoren për shpenzimet të cilat i kanë dalur të paplanifikuara Komunës së Prizrenit, për shkak të strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri” thuhet në njoftim.

Referuar njoftimi, Komuna do ta bëjë dekorimin e qytetit në bashkëpunim me bizneset të cilat operojnë në Prizren. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.