26-04-2024

Prizren: Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për dhënien e banesave pa kriter për shoqatat e dala nga lufta

Ka dështuar të mbahet seanca, e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi.

Shkak  për mos mbajtjen e këtij gjykimi, ishte mungesa e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, si palë e dëmtuar në këtë rast, mbrojtëses së të akuzuarit Arben Rexhepi, avokates Bahrije Besimi si dhe dëshmitareve, Gjyherie Maqkaj dhe Hadije Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e mbrojtëses së të akuzuarit Rexhepi, avokates Bahrije Besimi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se ajo me parashtresë të datës 4 dhjetor 2019, e ka njoftuar gjykatën se në ditën kur mbahet kjo seancë do të gjendet në një takim në Strugë, duke kërkuar që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndërsa, për përfaqësuesin e Komunës së Prizrenit dhe dëshmitareve Gjyhere Maqkaj dhe Hamdije Ademaj, gjykatësja Skenderi, ka thënë se ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt, por të njëjtit mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Në seancën e së hënës, pas kërkesës së trupit gjykues për sigurimin e adresave të dëshmitarëve Ramadan Muja dhe Fahrije Bytyqi, mbrojtësi i të akuzuarit Reshat Mehmeti, avokat Esat Gutaj, ka thënë se tërhiqet nga propozimi për dëgjimin e këtyre dëshmitarëve.

Gjykatësja Skenderi, ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance ndërsa, seancën e radhës e ka caktuar më 31 janar 2020, në ora 10:00

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 28 shkurt 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit u kanë shkelur të drejtat familjeve skamnore, të cilat i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se familjet e rekomanduara nga shoqatat e dala nga lufta e kanë përfituar shfrytëzimin e këtyre banesave me automatizëm, familjet skamnore kanë qenë të privuar nga kjo mundësi, me këto veprime të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.