11-02-2025

Detaje nga arrestimi i Fikrim Damkës, kryetari i partisë turke ndalohet për 48 orë

Ministri në largim i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe një familjar i tij, Fuat Damka, kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, si të dyshuar për kanosje dhe sulm. Motivi i rastit dyshohet se lidhet me procesin zgjedhor, për çka tashmë ka nisur hetimi i Policisë në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

Damka, i cili është kryetar i partisë turke KDTP dhe nipi Fuadi, u arrestuan pasi dyshohen se kërcënuan dhe sulmuan dy persona të tjerë, te një parking në Prizren.

Gazeta Sinjali tashmë ka mësuar se ndaj tyre, prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit dhe si rezultat, të njëjtit janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.

Bazuar në informacione e para, Damka dyshohet se ka sulmuar një kandidate nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore.

Rasti ka ndodhur në afërsi të një parkingu dhe motivi lidhet procesin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura dje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.