19-04-2024

Detaje nga dosja e 12 të arrestuarve për “Subvencione”: Njëri i dha 6 mijë e 600 euro ryshfet, tjetri 7 mijë …

Mashtrime me subvencione, marrje e dhënie e ryshfetit, falsifikim i dokumenteve zyrtare, pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare. Këto janë veprat për të cilët Prokuroria dyshon se i kanë kryer dymbëdhjetë të arrestuarit në rastin e njohur si “Subvencionet”.

Persona zyrtarë dhe persona që kanë aplikuar për subvencione dyshohen se kanë mashtruar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Këtë dyshohen se kanë bërë në mënyra të ndryshme, në disa raste fermerët nuk kanë pas te mbjellë asgjë dhe prapë kanë arritur të përfitojnë subvencione, e të cilat subvencione dyshohen se janë marrë përmes dhënies se ryshfetit te personat zyrtarë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, të cilët në mënyrë të kundërligjshme i kane futur në listën e përfituesve te subvencioneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi”, sjell detaje për secilin të pandehur se për çfarë veprash penale dyshohen bazuar në kërkesën e Prokurorisë për caktimin për masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.

I pandehuri Arton Elezi në cilësinë e zyrtarit në Drejtorin e Bujqësisë në Komunën e Vitisë  dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke tejkaluar autorizimet e tij me qëllim të përfitimit për vete dhe persona të tjerë.

Ai dyshohet se kishte bërë marrëveshje me të pandehurin, fermerin Sadat Qazimi, në mënyrë të kundërligjshme ka ndryshuar aplikacionin e fermerit duke ndërhyre në aplikacionin e të njëjtit. I pandehuri Arton Elezi, thuhet se ka ndryshuar aplikacionin nga “kulturat bujqësore nga grurë dhe misër” në “bimë mjekësore aromatike” në sipërfaqe prej 20.24 hektar, me këto ndryshime i pandehuri Sadat Qazimi në mënyrë të kundërligjshme përfiton subvencione në vlerë rreth 20 mijë euro.

Në këmbim të kësaj, i pandehuri Arton Elezi dyshohet se kishe pranuar ryshfet në vlerë prej 3 mijë euro.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par 1 lidhur me par 2 të KPRK-së.

Poashtu, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421 par 2  KPRK-së.

Përveç kësaj,  Arton Elezi dyshohet se pasi ka kuptuar që Prokuroria është duke zhvilluar hetime, ai ndërmerr veprime të kundërligjshme duke bërë presion te vazhdueshëm që Sadat Qazimi  të mos tregon të vërteton gjatë intervistimit në Polici, por të deklaron rrejshëm.

Për këtë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386 par 1 të KPRK-së.

I pandehuri tjetër Ingrid Kuqi dyshohet se ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur dokumentacion të falsifikuar dhe të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), në atë mënyrë që në emër të biznesit te tij “K2A Cooperation LLC”.  Përmes të pandehurve Liridon Fandaj dhe Sali Statovci nxjerrë certifikatën për bimë organike dhe në mënyrë të kundërligjshme pa asnjë procedurë dhe pa asnjë kontroll dhe të njëjtën e paraqet në AZHB kinse ka të mbjella dhe të certifikuara me kunguj me sipërfaqe prej 62.05 hektar, mirëpo gjatë kontrollit në teren AZHB, kanë konstatuar se i njëjti ka paraqitur sipërfaqe prej 26.78 hektar më shume se sa që në realitet ka pasur dhe gjatë kontrollit nuk kanë hasur fare në gjurmë të kungujve dhe me këtë rast ka përfituar të drejtën që të  përfitojë në vlere gjithsej 192,480.00 €, mirëpo i njëjti arrin të pranojë 67,368.00€, ndërsa të tjerat pezullohen për pagesë për shkak të fillimit të hetimeve.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Ingrid Kuqi ka kryer veprën penale “Mashtrim me Subvencione nga neni 324 par 3 lidhur me par 1 të KPRK-së.

I pandehuri Liridon Fandaj dyshohet se ka ndihmuar të pandehurin Ingrit Kuqi që të paraqes të dhëna të rreme dhe të pa sakta që të përfitoj subvencione nga Ministria e Bujqësisë në atë mënyrë që i pandehuri Liridon Fandaj siguron nga Sali Statovci certifikatën për bimë organike e lëshuar nga “Bio Q-check” në mënyrë të kundërligjshme pa asnjë procedurë dhe pa asnjë kontroll duke paguar  shumën 4,343.50 €.

Këtë i pandehuri e paraqet në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësish kinse ka të mbjella dhe të certifikuara me kunguj sipërfaqen prej 62.05 hektar, e  AZHB-së  me rastin e kontrollit në teren kanë konstatuar se i njëjti ka paraqitur sipërfaqe prej 26.78 hektar më shumë se sa që në realitet i ka pas dhe gjatë kontrollit nuk kanë hasur fare në gjurmë të perimeve (kungujve) dhe me këtë rast ka përfituar shumen e parave në vlerë gjithsej 67,368.00€.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Liridon Fandaj ka kryer veprat penale: “Dhënia e ryshfetit në sektorin privat” nga neni 310 dhe  “Ndihmë” nga neni 33 për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi me subvencione nga neni 324 par 1 lidhur me par 3 të KPRK-së.

I pandehuri tjetër Sadri Berisha dyshohet se ka përfituar subvencione për vitin 2020 në mënyrë të kundërligjshme duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pa sakta me rastin e aplikimit në AZHB,.

Nga provat e siguruar nga Ministria e Bujqësisë rezulton se i pandehuri Sadri Berisha pas verifikimit rezulton se ka mos përputhje në mes të vendit (parcelave) të digjitalizimit në sistemin SLPIS të pronave me të cilat ka përfituar subvencione me vendin sipas fletave poseduese të dorëzuara në dosjen e tij, me këto veprime i pandehuri  ka përfituar shumen në vlere 22,666.60 €,

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Sadri Berisha ka kryer veprat penale: “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324 par 1 lidhur me par 3 të KPRK-së.

Për përfitimin e këtij subvencioni dyshohet se personat zyrtar tani të pandehur inspektorit Blerim Mulliqi dhe Drejtori i pagesave direkte Luan Statovci, i kërkojnë para ryshfet Sadri Berishës.

Ata takohen me të pandehurin Sadri Berisha dhe arrijnë n marrëveshje për ryshfet  ku berisha pandehuri Sadri Berisha i jep para ryshfet Luan Statovcit në vlerë prej 1,600.00 €.

Për këtë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Sadri Berisha ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 par 2 i KPRK-së.

Dukagjin Deda dyshohet se në vitin 2020  ka përfituar subvencione në mënyrë te kundërligjshme duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pa sakta me rastin e aplikimit për subvencione dhe ka përfituar shumen e parave në vlere 42,731.80 €.

Nga provat e Ministrisë së Bujqësisë me numër të referencës rezulton se ka mos përputhje në mes të vendit (parcelave)  në sistemin e digjetalizimit me pronën që realitet. Për këtë dyshohet se ka kryer veprën penale  “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324 par 3 lidhur me par 1 të KPRK-së.

Për këtë i pandehuri Deda dyshohet se iu kishte dhënë ryshfet në vlerë prej 6,600.00 €, zyrtareve Blerim Mulliqit dhe Luan Statovcit. Për këtë dyshohet se i pandehuri Dukagjin Deda ka kryer veprat penale: Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 par 2 të KPRK-së.

Të dhëna të rreme dhe të pasakta dyshohet të këtë paraqitur edhe i pandehuri Hysen Morina ku përmes veprimeve të kundërligjshme  i njëjti ka përfituar shumen e parave në vlerë 18,209.00 €.

Për përfitimin e këtij subvencioni i pandehuri Morina dyshohet se iu kishte dhënë ryshfet  në vlerë prej 1, 500 euro inspektorit Blerim Mulliqi dhe drejtorit të pagesave direkte Luan Statovcit.

Në mënyre të kundërligjshme dyshohet të këtë përfituar edhe i pandehuri Donard Draga ku në emër te biznesit të tij “Ved-Farm Shpk” duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pa sakta me rastin e aplikimit për subvencione, kishte shtuar numrin e pulave kinse ka më shume se sa që kishte në  realitet.

Ai kishte paraqit një fature kinse ka blerë 25,000 cope zogj si mbulesë për numrin e deklaruar të pulave nga fermeri me rastin e aplikimit, e cila fature në bazë të verifikimit të bërë në ATK rezulton se është fiktive dhe me këtë rast ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumen e parave në vlerë 58,600.00 €,

Me këto dyshohet se ka kryer veprat penale: “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324 par 3 lidhur me par 1 të KPRK-së.

Për të arritur deri të përfitim i mbi 58 mijë eurove, Draga dyshohet t’i këtë dhënë ryshfet 5 mijë euro zyrtareve Blerim Mulliqit dhe Luan Statovcit.

Përmes të dhënave të rreme dhe dhënie të ryshfetit, subvencione dyshohet të ketë përfituar edhe i pandehuri Rasim Zekaj i cili në emër të biznesit të tij “OrganicHerb Shpk” ka përfituar për bime mjekësore dhe aromatike – bujqësi organike ndërsa në realitet një pjesë të madhe të sipërfaqes e ka pas të mbjell jonxhe e cila përdoret si ushqim për bagëti dhe në bazë të programit për pagesa direkte të vitit 2020, kjo kulture bujqësore nuk figuron fare në listën e bimëve mjekësore dhe aromatike, dhe me këtë rast përmes mashtrimit ka përfituar shumen  prej 93,400.00 €.

Për ta përfituar këtë subvencion i pandehuri Zekaj, dyshohet të këtë dhënë ryshfet në vlerë prej vle 7 mijë € personave zyrtarë Bekim Bruqi, Blerim Mulliqi dhe Luan Statovcit.

Duke i ditur se nuk i plotëson kriteret për subvencion, i pandehuri tjetër Bekimi Bruqi i ndihmuar nga i pandehuri Rasim Zekaj, dyshohet se në vitin 2020 në menyrë të kundërligjshme kishte përfituar shumën prej 93,400.00 euro.

Sipas Prokurorisë, duke e ditur se “jonxheja” nuk hynë ne listën e bimëve qe subvencionohen  ai edheka ndërmjetësuar për marrjen e parave te ryshfetit dhe duke ushtruar ndikim ne mënyrë te drejtpërdrejtë tek koleget e tij,  inspektori Blerim Mulliqi dhe drejtori Luan Statovci, ne atë mënyrë qe pranon ryshfet nga Rasim Zekaj shumen e parave ne vlere prej 7,000 Euro, prej te cilave 2,000 Euro i ndal për vete ndërsa 5,000 Euro i dorëzon tek inspektori Blerim Mulliqi, i cili pastaj prej shumes se lartcekur 1,000 Euro e ndal për vete ndërsa 4,000 Euro ia dorëzon drejtorit Luan Statovci.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Bekim Bruqi ka kryer veprat penale: “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 par 2 në bashkëkryerje nga neni 31 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 par 2 të  KPRK-se

I pandehuri Ramadan Zeqiraj dyshohet se ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë duke shfrytëzuar të dhënat personale të nipit te tij Arbnor Zeqiraj, ka pranuar që në aplikacionin e tij për subvencione të shtoj nga numri 200 krerë dele duke i dyfishuar në 400 krerë dele duke përfituar shumen e parave në vlerë prej 16,000.00€. I njëjti  këtë e kishte bërë duke arritur të bëjë marrëveshje për dhënie të ryshfetit me Inspektorin Blerim Mulliqi, dhe pasi Inspektori harton raportin duke shtuar krerët e deleve i pandehuri i jep para ryshfet  në shumen prej 3 mijë euro.

Duke shfrytëzuar të dhënat e djalit të tij, dyshohet të ketë mashtruar edhe Afrim Mehmetaj i cili ka përfituar shumen e parave në vlerë 35,526.76 € këstin e pare (ndërsa kësti i dyte po ashtu në shumë të njëjtë i është pezulluar nga Ministria e Bujqësisë për shkak të hetimeve).

Nga provat e siguruara nga Ministria ka rezultuar se ka mospërputhje të parcelave dhe janë përfituar subvencione në emër të Demë Mehmetaj duke shfrytëzuar pronën komunale pa autorizim dhe pa leje për shfrytëzim, në sipërfaqen prej 12.4 hektar.

Për përfitimin e këtij subvencioni i pandehuri Mehmetaj dyshohet të këtë dhënë 14 mijë euro ryshfet personave zyrtar Blerim Mulliqit dhe Luan Statovcit.

Duke paraqitur të dhëna të rreme dyshohet të ketë mashtruar edhe Gazmend Avdili, ku gjatë aplikimit për vitin 2020 për bujqësi organike në sipërfaqe prej 18.2 hektar, dyshohet se ka falsifikuar certifikatën organike.

Prokuroria thotë se ka mospërputhje tek sipërfaqja e pretenduar si organike ( 1.76 hektar në Greqi, ndërsa 18.2 hektar në Kosovë) dhe sipas “Bio Q-Check” me seli ne Greqi konfirmimet e lëshuara si dokument shtesë nga “Bio Q-Check” në Kosove nuk janë valide dhe si te tilla dyshohet se janë te falsifikuara. Nga AZHB, Inspektoret me rastin e kontrollit në teren kanë konstatuar se e tërë sipërfaqja me të cilën ka aplikuar dhe përfituar subvencione ka qenë livadhe dhe nuk kane qenë asnjëherë të mbjella me kultura bujqësore, nga këto të dhëna të pasakta i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar shumen e  në vlerë 17,930.00€.

Për të njëjtit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve për shtatë të dyshuarit Arton Elezaj, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj, Bekim Bruçi, Donard Draga, Rasim Zeqaj dhe Gazmend Avdili në rastin e ‘‘Subvencioneve’’ dhe ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak për pesë të tjerë, Sadri Berisha, Dukagjin Deda, Hysni Morina, Ramadan Zeqiraj dhe Afrim Mehmetaj./Raporton “BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.