Detaje të reja nga aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” afër Suharekës ku mbeti e vdekur një vajzë
Mëngjesi i sotëm ishte tragjik për familjen nga Kumanova e cila u aksidentua në Kosovë. Një vajzë rreth moshës 18-vjeçare vdiq në vendin e ngjarjes, ndërkaq tre persona tjerë mbetën të lënduar.
Afrim Jahaj, mjek kujdestar në spitalin e Prizrenit ka thënë për Gaztën Express se gjendja shëndetësore e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë.
“Viktima vajzë e moshës rreth 18-vjeçare ka vdekur në vendin e ngjarjes. Tre persona janë të shtrirë në spital, një grua dhe dy djem, Njëri prej të lënduarve i është nënshtruar një operacioni ortopedik, ndërkaq dy të tjerë janë duke u trajtuar në qendrën emergjente të spitalit të Prizrenit”, ka thënë Jahaj.
Viktima e moshës rreth 18-vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Jahaj.
Lajmin për Express sot e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka dhënë detaje rreth aksidentit.
“Bazuar ne informacionet e para është raportuar për një aksident të rëndë Trafiku me pasoja fatale, të shkaktuar sot rreth orës 10:00 paradite në Autostradën “Ibrahim Rugova” ku një person ka humbur jetën dhe 4 tjerë kanë marrë lëndime trupore. Njësitet kompetente policore për menaxhimin e trafikut në autostrada janë duke u marrë me rastin dhe duke hetuar shkaqet dhe rrethanat se si ka ardhë deri te ky aksident tragjik. Rreth orës 10:30 autostrada drejtimi Duhël-Suharekë është bllokuar për qarkullim”, ka theksuar Hoxha./GazetaExpress