Në kontekstin e 15 shtatorit, Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prizrenit, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe disa përfaqësues të subjekteve politike kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, duke nderuar të rënët për liri, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Në nderim të veprës së dëshmorëve të rënë në luftën për çlirimin e vendit, kurora lulesh janë vendosur edhe pranë shtatoreve të dëshmorëve në Prizren.
Por, kjo ditë e veçantë po shënohet zbehtë. Në këtë aktivitet kanë munguar zyrtarët e Komunës së Prizrenit.
Pos homazheve, nuk ka paralajmërim për ndonjë aktivitet tjetër kulturor apo sportiv, për ta madhështuar këtë ditë.
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) në Prizren, Isa Berisha gjatë një deklarimi për media ka shprehur habinë për mungesën e tyre në një ditë të veçantë si kjo, ku në saje të dëshmorëve sot jetojmë lirshëm.
“Këtu po shohim mungesën zyrtarëve komunal, ndërsa Kuvendi Komunal e ka përsipër t’i bëj këto organizime. Nuk e dimë arsyen se përse ndodhi kjo, por do të shohim. Dita e Dëshmorëve të Komunës së Prizrenit është votuar nga Asambleja Komunale”, tha ai.
Nga viti 2009, me një vendim të organit më të lartë lokal, Kuvendit Komunal të Prizrenit, 15 shtatori është caktuar si “Dita e dëshmorëve të kombit” të komunës së Prizrenit.
15 shtatori përkon me rivarrimin e të gjithë dëshmorëve të kombit, nga vendi i rënies heroike në një vend të përbashkët në Landovicë të Prizrenit, rreth katër kilometra nga Prizreni, në vitin 1999. /GazetaePrizrenit.net/