23-04-2024

Dita e Dëshmorëve të Prizrenit shënohet zbehtë, mungojnë zyrtarët komunal  

Në kontekstin e 15 shtatorit, Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prizrenit, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe disa përfaqësues të subjekteve politike kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, duke nderuar të rënët për liri, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në nderim të veprës së dëshmorëve të rënë në luftën për çlirimin e vendit, kurora lulesh janë vendosur edhe pranë shtatoreve të dëshmorëve në Prizren.

Por, kjo ditë e veçantë po shënohet zbehtë. Në këtë aktivitet kanë munguar zyrtarët e Komunës së Prizrenit.

Pos homazheve, nuk ka paralajmërim për ndonjë aktivitet tjetër kulturor apo sportiv, për ta madhështuar këtë ditë.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) në Prizren, Isa Berisha gjatë një deklarimi për media ka shprehur habinë për mungesën e  tyre në një ditë të veçantë si kjo, ku në saje të dëshmorëve sot jetojmë lirshëm.

“Këtu po shohim mungesën zyrtarëve komunal, ndërsa Kuvendi Komunal e ka përsipër t’i bëj këto organizime. Nuk e dimë arsyen se përse ndodhi kjo, por do të shohim. Dita e Dëshmorëve të Komunës së Prizrenit është votuar nga Asambleja Komunale”, tha ai.

Fotografia e Shaqir Totaj

Nga viti 2009, me një vendim të organit më të lartë lokal, Kuvendit Komunal të Prizrenit, 15 shtatori është caktuar si “Dita e dëshmorëve të kombit” të komunës së Prizrenit.

15 shtatori përkon me rivarrimin e të gjithë dëshmorëve të kombit, nga vendi i rënies heroike në një vend të përbashkët në Landovicë të Prizrenit, rreth katër kilometra nga Prizreni, në vitin 1999. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.