Sot më 22 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, janë testuar gjithsej 267 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, ku me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 21 raste.
Prej të infektuarve, numrin më të madh, apo 19 sosh e përbëjnë rastet nga Prizreni, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Kjo njëherësh, shënon edhe ditën me numrin më të madh të të infektuarve në Komunën e Prizrenit, ndërsa tashmë është prekur edhe rajoni i Hasit, që deri tash nuk ka pasur të infektuar.
Rastet pozitive janë raste kontakti. Nga komuna e Prizrenit janë 19 raste (sipas vendbanimit: 15 raste Prizren, 1 rast Romajë, 1 rast Lubiçevë, 1 rast Kijevë dhe 1 rast Nashec) dhe nga komuna e Suharekës 2 raste (sipas vendbanimit:1 rast Bllacë dhe 1 rast Suharekë).
Në njoftimin e IKSHPK rasti nga Kijeva, ka dal si rast nga komuna e Prizrenit, kur dihet se në këtë komunë nuk ka vendbanim me këtë emër.
Dy ditë më parë në Prizren janë shfaqur 8 raste me të infektuar. Dje është mbyll një fabrikë në Prizren, pasi një punëtor i saj ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Në mesin e të infektuareve ishte edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Sot më 22 maj 2020, janë shëruar 10 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 782 raste.
Nga data 08 shkurt deri më 22 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 12.818 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.025 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 22 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.263.085 raste të COVID-19 dhe 337.813 raste të vdekjes. / GazetaePrizrenit.net /