Dosja e Prokurorisë: “Burdushi” e përdorte dheun e varreve me pretendimin se shëron sëmundje

Për veprën ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë në lartësi prej 10 mijë euro.

Gjykata me këtë vendim ka vërtetuar se i akuzuari ka kryer këtë vepër penale, pa kualifikime profesionale dhe pa licencë përkatëse me pretendime se mund të shërojë sëmundje fizike e psiqike, paraliza, epilepsi, gratë sterile etj.

Sipas Gjykatës, “Burdushi” e ka kryer këtë veprimtari duke e reklamuar biznesin e tij, duke shtypur vizitëkarta me adresë të zyrës, ku në derë të zyrës ka shkruar mjeku me pretendimet se i shëron të sëmurët me barna popullore, shtyp hajmali, ndez qirinj, merr qime të flokëve, lëng të ngjashëm me ujin, dheun e varreve dhe letra me vizatime të pakuptueshme.

Gjykata në shpallje të vendimit deklaron se “Burdushi” e ka kryer këtë veprimtari edhe pse Inspektorati Shëndetësor me vendim ia kishte ndaluar.

Sipas vendimit të shpallur, “Burdushi” duke kryer këtë aktivitet ka arritur të hyra të kundërligjshme e cila arrin vlerën e 2 milionë e 528 mijë 715 euro.

Dosja e Prokurorisë: Si i kamufloi fitimet “Burdushi” gjatë deponimit të parave në bankë?

Gjykata e dënoi “Burdushin” edhe për akuzat për veprën e shpëlarjes së parasë, me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve dhe 25 mijë euro gjobë.

Gjykata e shpalli fajtor për këtë vepër meqë sipas Gjykatës, “Burdushi” ka qenë në dijeni se pasurinë e ka fituar prej kryerjes së veprës penale – ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë.

Sipas Gjykatës, ai përsëri me qëllim të maskimit apo fshehjes së burimit të parave, prej vitit 2005 paratë e fituara i kishte futur në sistemin bankar, duke i deponuar të hollat e gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive.

Sipas Gjykatës, “Burdushi” ka fshehur origjinën e parave edhe i ka kthyer këto të holla në pasuri të paluajtshme.

Pasuri të cilat Gjykata sot me vendim ia konfiskoi.

Sipas vendimit të shpallur, Hysri Peqani duke kryer veprimtarinë e tij ka arritur të hyra të kundërligjshme, të cilat arrijnë vlerën mbi 2.5 milionë euro.

Dosja e Prokurorisë: Çfarë armë iu gjetën “Burdushit” në shtëpi?

Gjatë aksionit të Prokurorisë në shtëpinë e “Burdushit” ishin gjetur disa armë, për të cilat ai nuk kishte pasur leje.

Prokuoria kishte gjetur armë të tipit pistoletë të kalibrit 9 mm me 2 karikatorë dhe 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie të tipit “Super-Campion” dhe 55 fishekë.

Për këtë vepër, Gjykata e dënoi Hysri Peqanin me dënim me gjobë prej 2,000 eurove.

Në vitin 2019 emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte përcjellë aksionin e Prokurorisë në shtëpinë e “Burdushit”.

Kështu, në mëngjesin e 26 korrikut 2019 nën urdhrat e dy prokurorëve të Prizrenit, Fatos Ajvazi dhe Petrit Kryeziu, zyrtarë të Policisë së Kosovës ia kishin mësyrë lagjes ku jetonte personi që dyshohej se merrej me fall dhe mashtrim të qytetarëve.

Fillimisht gjatë këtij aksioni në shtëpinë e “Burdushit” ishin parë njerëz që i besojnë teorisë së mjekimit popullor dhe që kishin shkuar aty gjoja për të marrë ndihmën.

Në nisje, i dyshuari ishte prangosur gjersa prokurorët kishin dhënë urdhrin që të nisin me bastisjen e shtëpisë.

Policia kishte mbledhur prova materiale si: fotografi, hajmali, plumba dhe disa materiale të tjera. Këto ishin konfiskuar nga Policia.

Gjatë këtij aksioni të dyshuarit i ishin konfiskuar edhe disa makina dhe materiale tjera të vlefshme që pretendohej se ishin fituar nga veprimtaria e dyshimtë.

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, është dënuar me 4 vjet e gjysmë burg dhe 42 mijë euro gjobë për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe vepra të tjera penale.

Po ashtu, dhe Gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurisë së tij që kalon vlerën 2 milionë euro. Kjo pasuri , sipas aktakuzës, është krijuar përmes veprave të kundërligjshme.

Prokuroria Speciale e akuzon “Burdushin” për veprat penale: ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje të parasë.

‘Burdushi’ akuzohet se që nga viti 2005, kur ka regjistruar biznesin e tij, e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore, kinse mjekonte edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Prokuroria e akuzon “Burdushin” se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu, ai akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje, sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që e ka ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.