Për të shtatën herë me radhë ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarve për kanosje, Sakip dhe Bajram Balje.
Seanca e së enjtes, e paraparë të mbahet në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, u shty për shkak të mungesës së të dëmtuarit, Mehmet Shuke, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja Sabaheta Kurteshi tha se gjykata nuk ka fakte se i dëmtuari është ftuar në mënyrë të rregullt.
Ajo tha se nga shkresat e lëndës rezulton se i njëjti ka ndërruar jetë, për çka tha se do të kërkojë sigurimin e certifikatës së vdekjes.
Për mos mbajtjen e seancës ka reaguar i akuzuari Bajram Balje, i cili tha se më nuk do të prezantojë në seanca gjyqësore për këtë rast, me arsyetimin se është bezdisur duke ardhur kot, për cka tha se vetëm policia mund ta sjellë.
Prezent në seancën e së enjtes ishte edhe prokurorja Mehreme Hoxha.
Në bazë të aktakuzës se ngritur më 5 tetor 2017, nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Sakip Balje dhe Bajram Balje, akuzohen se me 1 qershor 2016, rreth orës 22:30, në fshatin Restelic, Komuna e Dragashit, saktësisht në marketin “Serna”, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e kishin kërcënuar të dëmtuarin Mehmet Shuke.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sakip Balje, e kishte kërcënuar të dëmtuarin, duke i thënë se po të mos ishin në lokal, do t’ia kishte nxjerr zorrët.
Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Balje, sipas aktakuzës, i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët se, “krejt këto që po i mban janë te mijat, kur të vijnë të gjithë ke për të parë, nuk do te mund ta kryesh edhe dasmën”.
Me këto veprime të tyre, prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë shkaktuar frikë dhe ankth, tek i dëmtuari.
Në këtë formë, sipas aktakuzës, dy të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 185, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi