24-11-2024

Drejtori i ri i shkollës në Prizren akuzohet nga paraardhësi i tij për dhunë ndaj nxënësve

Mësimdhënësi Vigan Dervishaj është përzgjedhur drejtor i shkollës fillore “Fatmir Berisha” në Prizren në konkursin e fundit për drejtorë nga kjo komunë.

Por për Dervishajn, drejtori aktual i kësaj shkolle, Mehmet Balaj, në qershor të këtij viti, bazuar në këtë dokument, e kishte njoftuar Drejtorinë e Arsimit se ai nuk kishte sjellje të mirë në shkollë ndaj nxënësve e në shumicën e rasteve kishte përdorur edhe dhunë, raporton KTV.

Drejtori Balaj, i cili gjithashtu ka kandiduar për këtë pozitë, tregon se për Dervishajn kishte dhënë vërejtjeje edhe në vitin 2010.

Megjithatë, arsimtari Dervishaj thotë të mos ketë pranuar asnjëherë vërejtjet me shkrim, për të cilat akuzohet nga Balaj.

Sipas tij, drejtori aktual po e bën këtë pasi nuk u përzgjodh sërish në këtë pozitë.

E drejtori i arsimit në këtë komunë, Skënder Susuri, thotë të ketë pranuar vërejtjen, porse e kishte zgjidhur me marrëveshje.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në anën tjetër, thotë se nëse verifikohet se drejtorët e përzgjedhur nuk janë adekuatë, do të ndërmarrin masa.

Konkursi për drejtorë në shkollat e komunës së Prizrenit është përcjellë me kritika se janë bërë përzgjedhje politike, por kryetari Haskuka i ka quajtur të pabaza, meqë sipas tij, nuk ka pasur favorizime.

Asnjë koment

Comments are closed.