24-11-2024

Drejtori i spitalit në Gjakovë dhe të tjerët dënohen me burgim me kusht për korrupsion

Drejtori i Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, në Gjakovë, Ahmet Asllani është dënuar me gjashtë  muaj burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjykata Themelore në Gjakovë, në aktgjykimin e shpallur të martën, përveç të akuzuarit Asllani, fajtorë i ka shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi ndaj Asllanit nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Me gjashtë muaj burgim me kusht, me afat verifikimi prej një viti, është dënuar edhe i akuzuari tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Adnan Brovina.

Për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, me gjashtë muaj burgim me kusht është dënuar edhe Skender Ndrecaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti ai nuk kryen vepër tjetër penale.

Mirlinda Mullahasani dhe Mentor Bytyqi, për falsifikim të dokumentit zyrtar, janë dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryejnë vepra tjera penale.

Kurse, po ashtu për falsifikim të dokumentit zyrtar, Kumrije Kameri është dënuar me tre muaj burgim me kusht, nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërkaq, e dëmtuara në këtë rast, Spitali Rajonal i Gjakovës është udhëzuar në kontest civil.

Të akuzuarit, janë detyruar që secili prej tyre të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 euro.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika së bashku me anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Manduhije Syla.

Ndërsa, procedura penale është pushuar ndaj të akuzuarve për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, Mirlinda Shehu-Kaqi dhe Flamur Zeneli.

Arsye për pushimin e kësaj procedure, sipas gjykatësit të rastit, Shaqir Zika, është se ndaj dy të akuzuarve ka arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale.

Ndërsa, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 3 shtator 2018, drejtori i spitalit rajonal “Isa Grezda”, në Gjakovë, Ahmet Asllani është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të pafajshëm për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumenteve, ushtrim të ndikimit dhe veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike, janë deklaruar edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Mirlinda Shehu, Flamur Zeneli, Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Kumrije Kameri, Adnan Brovina dhe Skender Ndrecaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 30 korrik 2018, të pandehurit Mirlinda Shehu-Kaqi dhe Flamur Zeneli në muajin dhjetor të vitit 2014 në Gjakovë, si menaxhere e biznesit N.SH “El-Ri Graphic”, Prishtinë dhe Flamur Zeneli, në cilësinë e operatorit ekonomik me dashje kanë shkelur ligjin e afarizmit dhe kanë vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit.

Sipas aktakuzës, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që kanë fituar tenderin lidhur me furnizimin me uniforma të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ku përfitues i këtij tenderi ka qenë firma N.SH “El-Ri Graphic”, ku janë furnizuar me 438 copë mantele të gjata, pantallona dhe bluza me shumicë ku i kanë shkaktuar dëm Spitalit Rajonal ”Isa Grezda” në Gjakovë, ku vlera kontraktuese ka qenë 9.855 euro.

Me këtë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 285 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri në muajin dhjetor të vitit 2014, në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, Mirlinda Mullahasani në cilësinë e kryetares së komisionit, ndërsa Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri anëtarë të komisionit, në dokumentin zyrtar-procesverbalin kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se ka ardhur numri i plotë i uniformave, duke konfirmuar që sipas kontratës kanë pranuar uniforma komplet për personel nga operatori N.SH.”El-Ri Graphic”, Prishtinë.

Ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri Adnan Brovina në muajin dhjetor të vitit 2014 në Spitalin Rajonal “Isa Grezda’ në Gjakovë në cilësinë e personit zyrtar depoist ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete dhe për persona tjerë duke i shkaktuar dëm Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, në atë mënyrë që në depo ka pranuar uniforma nga kontraktuesi në sasi më të vogël sesa që është kontraktuar.

Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

I pandehuri tjetër, Skender Ndrecaj po ashtu në po të njëjtin muaj dhe vit në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë në cilësinë e drejtorit të infermierëve në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim pasuror në mënyrë që të ushtrojë ndikim mbi vendimmarrjen e personit zyrtar-deposistit Adnan Brovina ka urdhëruar që të pranojë uniformen nga kontraktuesi në sasi më të vogël se sa që është kontraktuar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Ahmet Asllani në po të njëjtin muaj dhe vit në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij duke mos e përmbushur detyrën zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit pasuror për veten apo për persona të tjerë, i shkakton dëm Spitalit të Gjakovës, në atë mënyrë që si drejtor ka nënshkruar lejimin e pagesës së të hollave për kontratën e blerjes së uniformave të cilat nuk kanë ardhur në numër të plotë.

Asnjë koment

Comments are closed.