Drejtoria e Arsimit në Prizren rifillon Konkursin e pezulluar për mësimdhënës të vitit të kaluar

Drejtoria e Arsimit në Prizren ka njoftuar për rifillimin (vazhdimin ) e Konkursit të datës 04 nëntor të vitit 2019, që ishte pezulluar nga Gjykata në Prizren.

Konkursi i DKA-së së Prizrenit për mësimdhënësit, që ishte shpallur më 4, është pezulluar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, që pat caktuar masën e përkohshme të sigurimit për këtë konkurs në bazë të propozimit të kandidatëve që janë përzgjedhur si më të suksesshëm në konkursin e ngjashëm të zhvilluar verën e këtij viti.

“Njoftohen të gjithë aplikuesit (kandidatët) në konkursin nr. 01-111-154376 të datës 04.11.2019, se procesi i këtij konkursi do të rifillojë (vazhdojë) bazuar në AKTVENDIMIN e Gjykatës Themelore në Prizren (C.nr.1898/19), me të cilin është refuzuar kërkesa e propozuesve për caktimin e masës së sigurisë për PEZULLIMIN e konkursit në fjalë”, thuhet në njoftimin e DKA-së, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Në fakt, Komuna e Prizrenit pati publikuar listën e kandidatëve adekuatë që të vazhdojnë procedurën në konkursin e datës 4 nëntor 2019, por Gjykata Themelore e Prizrenit kishte aprovuar si të bazuar propozimin e propozuesve, përmes avokatit, ku caktohej masa e përkohshme e sigurimit me të cilën i urdhërohet të paditurës Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, që të “pezullohet konkursi i datës 04.11.2019, shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit deri në një vendim tjetër të gjykatës”.

Referuar njoftimit nga DKA, tashmë konkursi do të vazhdojë me procesin e vlerësimit me shkrim të kandidatëve (aplikuesve) të cilët i kanë plotësuar kushtet e kërkuara në konkurs.

Lista e kandidatëve  të cilët kanë konkurruar:

Kliko linkun

https://kk.rks-gov.net/prizren/ëp-content/uploads/sites/26/2020/07/Dokumentet-per-konkurs.pdf