25-04-2024

Droga nga Shqipëria nëpërmjet Kosovës drejt Serbisë, kërkohet paraburgim ndaj 6 të dyshuarve

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore ndaj të pandehurve: S.B., B.R., Gj.R., (shtetas të Shqipërisë) dhe N.M., A.M. dhe A.M. (shtetas të Kosovës) të cilët gjenden në ndalim 48 orësh nga data 20.04.2022. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, të dyshuarit synonin që rreth 50 kilogramë drogë marihuanë t’i transportonin drejt Serbisë përmes Kosovës. Droga kishte ardhur nga Shqipëria.

Prokuroria thotë se i pandehuri Gj.R. dhe N.M. janë kapur në flagrancë duke bërë shitblerjen e marihuanës në garazhin e shtëpisë së N.M. në Vaganicë të Mitrovicës mëngjesin e 20 prillit. Nga kontrolli i automjetit “Mercedes”, janë gjetur 10.5 kg drogë. Policia kontrolloi edhe shtëpinë e N.M., ku u gjetën edhe 31 kg drogë, e që sipas Prokurorisë, këto ishin të destinuara të transportoheshin në Serbi nga N.M., A.M. dhe A.M..

Ndërkohë, i pandehuri S.B. kishte blerë drogën nga Gj.R dhe kishte hyrë në Kosovë nga pika kufitare e Vërmicës të mërkurën. Ai u ndalua nga Policia në Uglar të Fushë-Kosovës, nga ku iu gjetën 10 kg marihuanë, që sipas Prokurorisë, kishte destinacion tregun e Prishtinës.

Gjatë këtij aksioni të Policisë, janë sekuestruar tre vetura Mercedes, shtatë telefona, 10.507 euro si dhe monedha lek dhe denar të Serbisë, sipas njoftimit të Prokurorisë

Asnjë koment

Comments are closed.