Dy aktivistët klimatikë ngecin në Prizren, por ndjehen si në shtëpi (VIDEO)

Mijëra udhëtarëve nëpër botë iu është pamundësuar lëvizja e lirë për shkak të mbylljeve të papritura të kufijve si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Shumë prej tyre kanë arritur që ta gjejnë rrugën e tyre për t’u kthyer në shtëpi, por jo edhe dy aktivistë klimatikë nga Britania e Madhe që qëlluan në Kosovë kur u mbyllën kufijtë, transmeton Klan Kosova.

Rosie Watson dhe Mike Elm ishin dukë bërë një udhëtim ndër-kontinental me biçikletë, kur autoritetet kosovare vendosën t’i mbyllin të gjithë kufijtë tokësorë dhe ajrorë në mes të muajit mars si masë preventive ndaj përhapjes së koronavirusit.

“Ky ishte fundi i udhëtimit për momentin. Kjo ndodhi tetë javë më parë”, ka thënë dyshja në një intervistë të drejtpërdrejtë për Euronews.

Të dy ata kanë shfrytëzuar kohën e tyre në Prizren duke shkruar në lidhje me udhëtimin në bloget e tyre.

Menaxheri i hostelit iu ka dhënë leje atyre të qëndrojnë për aq kohë sa kanë nevojë.

“Ne jemi vërtetë të mirëpritur këtu dhe ndjehemi sikur në shtëpinë tonë”.