02-12-2024

Dy kosovarë e padisin Googlen në SHBA, për diskriminim të gjuhës shqipe

Paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.

“Kontributi i Z. Dervishit dhe Dr. Asllanit për Kosovën është shumëdimensional qysh nga fillimi i viteve të 90-ta. Vlen të ceket, dokumentimi i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe lobimi i vazhdueshëm në Kongresin Amerikan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Por sipas Dr. Asllanit dhe Z. Dervishit, angazhimi i tyre lobues dhe koordinimi i aktiviteteve për pranimin e Kosovës në Rotary International me 5 Nëntor të vitit 2005 që rezultoi me njohjen e parë ndërkombëtare të Kosovës, do të mbetet një nga momentet më të ndritura të përkushtimit të tyre për kauzën kombëtare.

Z. Dervishi dhe Dr. Asllani gëzojnë një përkrahje të parezervë të miqve Amerikan për t’a bërë të padrejtën të dukshme. Ata kanë angazhuar edhe avokatë Amerikanë për të paditur gjigantin Google në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për diskriminim të gjuhës shqipe.

Dedikimi i Z. Dervishit dhe Dr. Asllanit për zhvillim të kombit dhe kontributi i tyre i vazhdueshëm për liri, paqe, barazi dhe mos-diskriminim shton besimin se Google do të shqyrtojë me interes këtë padi dhe konsiderojë shtimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare të mbështetur nga Google. Kjo do të sjellë risi të mëtejshme të teknologjisë informative duke krijuar mundësi reale për zhvillim ekonomik, punësim, investime të huaja, marketing dhe informim cilësor duke i’u mundësuar gazetarëve të bëjnë punën e tyre edhe më mirë.

Dr. Asllani dhe Z. Dervishi gëzojnë përkrahje të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe mbesin të hapur për bashkëpunim me të gjithë të interesuarit për këtë çështje të rëndësishme për kombin tonë”, thuhet në njoftim./Ind

Asnjë koment

Comments are closed.