Dy minuta errësirë për të pagjeturit
Qytetarët e Kosovës i kanë fikur dritat për dy minuta në ora 20:00, për të shprehur solidaritetin me personat e pagjetur, me rastin 27 prillit Ditës së të Pagjeturve.
Kjo nismë ka ardhur nga shoqëria civile Integra, Missing Persons Resource Center, YIHR, Humanitarian Laë Center Kosovo dhe forum ZFD – Kosovo Program, në shenjë solidarizimi për personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Përmes kësaj nisme qytetarët për dy minuta kanë bashkëndjerë dhimbjen me familjarët e atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre. Dritat janë fikur edhe në ndërtesën e Qeverisë së Kosovë.
Thirrje për t’i fikur dritat qytetarëve u ka bërë edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Dritat për të pagjeturit i kanë fikur edhe Komuna e Prishtinës, Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu.
Me 2 minuta errësirë në familjet tona, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet.
Më 27 prill në Kosovë shënohet Dita e të Pagjeturve. Në Kosovë ende figurojnë mbi 1644 persona të zhdukur edhe 20 vjet pas luftës. Familjarët ende presin informata rreth të pagjeturve dhe kërkojnë vazhdimisht nga institucionet e shtetit që të zbardhin fatin e tyre./eo/