23-11-2024

Dy nxënëse nga Prizreni, fituese të çmimeve për ese në konkursin e Bankës së Kosovës (BQK)

Dy nxënëse të shkollave të mesme të Prizrenit, janë ndër fitueset e çmimeve për esetë më të mira në garën “Kursej me mençuri – investoj në të ardhmen time”, të shpallur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).

Nxënësja Hira Mashkulli nga shkolla e muzikës “Lorenc Antoni” zuri vendin e dytë, ndërsa Sena Tyfekçi nga gjimnazi “Gjon Buzuku” të Prizrenit e ndau çmimin e tretë me disa bashkëmoshatarë, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Çmimi i parë për punimin më të mirë iu nda nxënëses Yllza Islami nga Gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpall konkurs për nxënësit e klasave X – XII të shkollave të mesme të Kosovës, të realizojnë punime (Ese) mbi konceptin e tyre për kursimet: çka janë kursimet, si të krijohet shprehia e kursimit të parave, pse janë të rëndësishme kursimet për të ardhmen tonë, si t’i menaxhojmë financat personale në mënyrën e duhur, si t’i shfrytëzojmë paratë me mençuri, etj.

Esetë më të mira do të shpërblehen si më poshtë:
Çmimi i I- 200 euro,
Çmimi i II -150 euro,
Çmimi i (III-X)- 100 euro.

Ndarja e shpërblimeve është në një ceremoni, në të cilën Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka përgëzuar nxënësit për punën e bërë në esetë e tyre, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë me angazhimin për rëndësinë e parasë dhe kulturës së kursimeve në veçanti./ Gazeta e Prizrenit

 

 

.

Asnjë koment

Comments are closed.