Dy të rinjtë shqiptarë të cilët janë rrahur brutalisht në Novi Sad të Serbisë, vetëm pse janë dëgjuar të flasin shqip, njoftohet se janë nga rajoni i Hasit të Prizrenit, njëri prej të cilëve Çlirim Maloku nga fshati Planejë, që po punonin në këtë qytet, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Sipas të përditshmes “Danas”, nga Vojvodina, dy të rinjtë shqiptarë janë rrahur, gjatë këtij vikendi, ndërmjet të shtunës dhe të dielës, njëri prej të cilëve është plagosur rëndë.
Në rrugën “Futoshkoj”, në stacionin e taksive pranë Ruletit “Gaja”, dy të rinj me kombësi shqiptare G.B. dhe Ç.M., të lindur në vitin 1999, sulmohen “nga katër persona të panjohur deri tani, pa asnjë arsye, vetëm pse bisedonin me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe”, thuhet në kumtesën e Amzës Shqiptare nga Novi Sad, të nënshkruar nga kryetari i saj Demo Berisha.
Njoftohet se djaloshi që ka pësuar më së keqi është Çlrim Kamber Maloku nga Planeja, i cili ka lëndime të rënda: ka të thyer kockat e kokës dhe gjakderdhje në tru. Ai, është operuar në Qendrën Klinike të Vojvodinës dhe jeta e tij është në rrezik. Sipas KMDLNJ-së në Prizren ai jeton në lagjen “Arbana” të Prizrenit.
I riu tjetër me inicialet G.B. gjithashtu, ka plagë të rënda, por jeta e tij nuk është në rrezik, thuhet në deklaratën e Amzës Shqiptare nga Novi Sadi.
Ky incident i rëndë ndëretnik i shkaktuar nga huliganët e panjohur, ka zgjuar edhe reagimin e Shoqërisë Civile “Perspektiva”, nga Lugina e Preshevës, e cila ka reaguar ashpër këtë incident, duke kërkuar që rasti të zbardhet sa më shpejt dhe aktorët të dënohen para drejtësisë, ndërsa të rinjve shqiptarë u dëshiron shërim sa më shpejtë, ka shkruar “FM image”.
Gjithashtu, Shoqërisë Civile “Perspektiva”, kërkon nga Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe autoritet e pushteteve lokale në Luginë të Preshevës, të reagojnë ndaj këtyre dukurive negative me të cilët po rrezikohet gjuha shqipe në Serbi dhe njerëzit me origjinë shqiptare, të privuar nga të drejtat më elementare siç është ajo e komunikimit në gjuhën amtare.
Ndryshe, derisa nga Prishtina zyrtare nuk njoftohet për ndonjë reagim, për këtë ka folur edhe presidenti serb, Aleksandar Vucic.
Ai ka thënë se kërkon nga autoritetet që sa më shpejt t’i gjejnë sulmuesit, ngase sipas tij, Serbia nuk është vend i egër, por i përshtatshëm për të gjithë dhe askush nuk duhet të sulmojë dikë vetëm pse është shqiptar.
Vucic i cili sot është takuar me sekretarin e NATO-s, ka thënë se si mund të kërkojë nga Stoltenber për t’i mbrojtur serbët në Kosovë, nëse Serbia nuk është në gjendje të mbrojë dikë që jeton në Serbi, përcjell gazetametro.net.
Ai tha se Serbia është një vend që duhet të tërheq sa më shumë turistë të huaj, dhe kjo bëhet vetëm duke ofruar siguri. Dy të rinjtë shqiptarë, të moshës 19 vjeç. Emri i djaloshit tjetër, nuk dihet, por jozyrtarisht mendohet të jetë Gigolli nga dhe se ata punonin si furrtarë. Një kanal televiziv në Novi Sad ka raportuar se ata kishin shtetësi të Serbisë.
Për ngjarjen, nëpër rrjetet sociale kanë reaguar edhe shokët e viktimave.
“Miku im, fajin nuk e kishe ti, fajin e kishte gjuha jonë amtare. Krimi yt i vetëm është që je shqiptar, qe detyrohesh te qëndrosh në “shtëpinë” e atyre që na dëbuan.
SHPRESOJ DHE UROJ MË TË MIRËN PËR TY VËLLA !
P.s organet kompetente ( të Kosovës ) janë në gjumë pasiqë ky është krim që duhet kërkuar llogari!”, ka shkruar njëri në facebook./GazetaePrizrenit.net