19-04-2024

Dyshohet se shiste kokainë në Prizren e më gjerë, prangoset dileri 26-vjeçar

Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar substanca narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje, ku disa informacione se një person ushtron veprimtarinë e shitjes së narkotikëve të llojit kokainë në qytetin e Prizrenit dhe më gjerë, kanë aktivizuar Policinë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është ndalur nga një njësi policore dhe gjatë kontrollit trupor, atij i janë gjetur dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës ka realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku është gjetur dhe sekuestruar drogë e llojit kokainë. Po ashtu është kontrolluar edhe vetura personale e të dyshuarit, mirëpo aty nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.

26-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.

Referuar raportit të Policisë, Gazeta e Prizrenit raporton se arrestimi është bërë mbrëmë rreth orës 18:20., në rrugën “Ekrem Rexha”,  “Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar 0.33 gram substancë narkotike e llojit kokainë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Asnjë koment

Comments are closed.