E akuzuara deklarohet e pafajshme për vrasjen në Malishevë
E akuzuara për vrasje, Nafije Rrafshi, është deklaruar e pafajshme në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Ndërsa, ajo e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo akuzohet se në gusht të vitit të kaluar për motive të panjohura, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Ali Uka, e akuzuara ka thënë se nuk e ndien veten fajtore, dhe se nuk pranon fajësinë për veprën penale të vrasjes, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ka deklaruar se e pranon fajësinë.
Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, nuk ka pasur kundërshtime nga prokurori Ali Uka, i cili i ka propozuar gjykatësit Shaqir Zika që ta aprovojë atë.
Gjykatësi Zika, më pas e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse e ka njoftuar të akuzuarën se brenda afatit prej 30 ditësh, ka të drejtë t’i dorëzojë gjykatës në formë të shkruar kërkesën për hudhjen e aktakuzës, si dhe kundërshtimin e provave.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 5 prill 2019, në ora 10:00.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 19 janar 2019, e akuzuara Nafije Rrafshi, akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 09:30 në fshatin Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje për motive të panjohura, ka privuar nga jeta 57 vjeçarin, tani të ndjerin Sefer Berisha.
Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Sefer Berisha, me automjetin e tipit “Opel Vectra”, dhe në momentin kur arrin në rrugën “Habib Zogaj”, e pandehura derisa ishte duke e vozitur automjetin e tipit “Alfa-Romeo”, me të vërejtur tani të ndjerin, e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes hynë në automjetin e tani të ndjerit dhe që të dy dalin nga makinat ku qëndrojnë në breg në afërsi të një pylli dhe pas një fjalosje dhe kacafytje e pandehura nga çanta e nxjerrë një revole të tipit “TT”, kalibri 7.62 mm dhe e godet njëherë në qafë dhe pastaj në kokë atë si dhe largohet në drejtim të panjohur.
Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje”, nga neni 178 të KPRK-së si dhe “mbajtje në pronësi, posedim ose kontroll të paautorizuar të armës”, nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi