18-05-2024

Deputetja Veselaj- Gutaj propozon bojkotin e mbledhjeve politike të Parlamentit gjatë datave historike të marsit

Në prag të datave që përkojnë me betejën heroike të familjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kundër forcave serbe, deputetja e PDK-së nga Prizreni, Veselaj- Gutaj ka vlerësuar si më të rëndësishme organizimin e seancës solemne në Parlamentin e Kosovës, në kujtim të veprës heroike të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve tjerë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, se sa të mbahet seancë për politika ditore.

Përmes një postimi në profilin e saj në “facebook”, ajo ka shkruar:

“Po bëhen 21 vjet nga fillimi i betejës heroike të Familjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari kundër forcave të armikut.

Datat heroike 5, 6 dhe 7 Marsi duhet të jenë data feste kombëtare për vendin dhe popullin tonë, festë e cila bashkon shqiptarët dhe popullin tonë në përgjithësi, festë ku duhet të reflektojmë për punën tonë të përditshme me qëllim për të ruajtur e ngritur unitetin tonë. Shumë më e arsyeshme do të ishte të organizohet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës në kujtim të veprës heroike të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës se të mbahet seancë për politika ditore. Pse bash në këto data të mbahet seancë, jam e bindur se po përçojmë mesazh jounifikues si shtet.

Konsideroj se kjo seancë duhet të bojkotohet!!!

Lavdi Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Veselaj-Gutaj./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.