12-10-2024

“EC Ma Ndryshe” e vlerëson si jotransparente Drejtorinë e Urbanizmit në Prizren

Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” kohëve të fundit është duke e vërejtur një mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënies tek Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Në një kumtesë të kësaj organizate, thuhet se EC-i është duke hasur vazhdimisht në vonesa dhe në përgjigje jo të plota nga kjo drejtori. Në fakt janë dy raste specifike për të cilat EC-i nuk ka marrë fare përgjigje. Këto praktika lënë hapësirë për dyshime në përkushtimin për rritjen e transparencës në punën e kësaj drejtorie.

Në rastin e parë EC ka kërkuar informata nga DUPH-ja lidhur me rishikimin e kushteve të lejes për një ndërtesë në Qendrën Historike të Prizrenit. EC me datë 3 gusht 2018 ka  kërkuar informata lidhur me këtë rishikim por ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Në rastin e dytë EC ka kërkuar informata zyrtare nga DUPH-ja lidhur me Planin Rregullues në zonën afër “Euro Center” si dhe sqarime për kushtet dhe lejen ndërtimore për një ndërtesë shumëbanesore.

Kërkesa e njëjtë është dërguar edhe me 11 qershor 2018 por përsëri DUPH-ja nuk ka ofruar përgjigje brenda afateve ligjore.

Përkundër faktit që qeverisja e re komunale ka premtuar transparencë radikale, këto raste tregojnë se nuk ka përpjekje të mjaftueshme në këtë drejtim. EC rikujton se në “Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale”, Komuna e Prizrenit vite me radhë vlerësohet me notë negative, veçanërisht indikatorët që kanë të bëjnë me planifikimin urban dhe monitorimin e projekteve urbanistike.

Prandaj  EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit, respektivisht Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor që të zbatojë  në përpikëri dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, duke zbatuar praktika që e rrisin nivelin e transparencës dhe duke eliminuar vonesat në ofrimin e përgjigjeve lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike dhe informata zyrtare.

Asnjë koment

Comments are closed.