30-05-2024

EC Ma Ndryshe: Haskuka të aplikojë standarde të njëjta për zyrtarët e akuzuar për keqpërdorim të pozitës

Në saje të përgjigjes zyrtare që EC Ma Ndryshe ka pranuar nga organet komunale del se kjo Komunë në vitin 2019 në 3 raste të zyrtarëve të akuzuar ka aplikuar masën e pezullimit nga marrëdhënia e punës (me pagesë 50% të pagës) me vendim të Kryetarit të Komunës.

EC Ma Ndryshe në saje të monitorimit të punës së organeve komunale ka vërejtur se ka edhe zyrtarë tjerë komunalë që në vitin 2019 nga Prokuroria janë akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe se ndaj tyre nuk është aplikuar masa e njëjtë e pezullimit nga marrëdhënia e punës. Në mesin e tyre ka zyrtarë të akuzuar që mbajnë pozita me peshë sa i përket kontraktimit dhe menaxhimit të fondeve publike.

Prandaj EC Ma Ndryshe edhe njëherë sjellë në kujtesë se premtimi elektoral i Kryetarit të Komunës ka qenë qeverisja me duar të pastra. Për këtë arsye i bën thirrje Ekzekutivit komunal që të aplikojë standarde të njëjta për të gjithë zyrtarët komunalë që akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të aplikojë masat e parapara me legjislacionin në fuqi.

EC gjithashtu përsërit kërkesën drejtuar Kryetarit të Komunës për ndërmarrjen e veprimeve konkrete ndaj drejtorëve komunalë që dyshohen për shkelje të ligjit, pasi që premtimet elektorale të tij ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional.

Asnjë koment

Comments are closed.