23-04-2024

Ec Ma Ndryshe vlerëson se vendimmarrja e kryetarit të Prizrenit më 2020 është jotransparente

‘EC Ma Ndryshe’ përkujton se dy vite më parë, pas kërkesës së aktivistëve të shoqërisë civile për hapjen e mbledhjeve të qeverisë komunale të Prizrenit, kryetari ishte zotuar se të gjitha vendimet do të publikohen në ueb faqen zyrtare të Komunës.

Kjo OJQ ka përcjellë publikimin e këtyre vendimeve prej fillimit të këtij viti. Në ueb faqen e Komunës së Prizrenit deri në fillimin e javës së fundit të muajit shkurt janë publikuar numër simbolik i vendimeve të kryetarit, përkatësisht 8 vendime. Ndërsa më 25.02.2020 në ueb faqen e Komunës figuronte vetëm një vendim i kryetarit, i publikuar më datë 06.02.2020, gjë që mund të jetë shkaktuar si pasojë e defekteve teknike në funksionimin e ueb faqes zyrtare.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe zhvillime politike lidhur me përbërjen e qeverisë komunale, që kanë krijuar dilema, të cilat duhet të qartësohen sa më parë për publikun dhe vendimmarrja të bëhet publike për qytetarët. Ndërkohë takimet e Ekzekutivit lokal kanë mbetur të mbyllura për gazetarët e monitoruesit e shoqërisë civile, derisa sipas raportimeve në media ato nuk janë mbajtur me muaj të tërë.

Sipas gjetjeve të raportit të monitorimit “Progresi në zotimet për qeverisje të mirë 2 vite pas” të organizatës Demokracia Plus (D+) në periudhën janar-tetor 2019, Komuna e Prizrenit ka publikuar 311 vendime të kryetarit, por me mesataren prej 44 ditëve, është komuna e cila më së shumti vonon publikimin e vendimeve të Kryetarit nga data e marrjes së tyre, krahasuar me komunat e Prishtinës, Ferizajit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës.

Për këto arsye, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që menjëherë të ndërmarrë masa për përmirësimin e transparencës lidhur me vendimet e kryetarit të Komunës, meqenëse edhe legjislacioni në fuqi parasheh që të gjitha vendimet e kryetarit të Komunës që ndikojnë drejtpërdrejt në interesat e qytetarëve të publikohen në ueb faqen zyrtare të Komunës. Njëkohësisht EC vlerëson se informata lidhur me vendimmarrjen e Kryetarit të Komunës, duhet të jepet me kohë, të jetë relevante, e saktë dhe e plotë, që të mund të përdoret në mënyrë efektive.

EC gjithashtu i bën thirrje kryetarit të Komunës që të rishqyrtojë vendimin e tij rreth takimeve që i zhvillon me drejtorët e tij, ashtu që të lejojë pjesëmarrjen e gazetarëve dhe monitoruesve të shoqërisë civile në këto takime.

Asnjë koment

Comments are closed.