Edhe shoqëria civile kërkon hetimin e kontratës për blerjen e pajisjeve mbrojtëse nga Komuna e Prizrenit
Aktivisti i shoqërisë civile nga KDI-ja , Naim Cahani e konsideron të dyshimtë kontratën për blerjen e pajisjeve mbrojtëse kundër koronavirusit nga komuna e Prizrenit .
Ai thotë se kjo kontratë duhet të hetohet nga Prokuroria.
“Përderisa kemi një procedurë të negocimit të çmimit dhe është kontraktuar një kompani , e cila sipas informatave të prezantuara nuk i ka as aktivitet primar e as sekondar furnizimet e tilla, atëherë nuk ka se si të mos jetë kontratë e dyshimtë dhe me mundësi abuzive”.
“Është mirë që organet e drejtësisë të iniciojnë hetimin e kësaj kontrate”, shprehet Cahani për KOHA.
Kontrata e nënshkruar nga Komuna e Prizrenit për furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi ka ngjallur dyshime për shkak të çmimeve të blerjes së disa produkteve.
Për këtë prokurim është zbatuar procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për shkak të situatës me pandeminë COVID-19. Çmimet që figurojnë në këtë kontratë, që është publikuar në ueb faqen e Komunës së Prizrenit, nga opozitarët janë cilësuar si skandaloze. Sipas tyre, me këtë aktivitet të prokurimit janë blerë maska e pajisje tjera me çmime më të larta sesa ato të tregut.
Lexo edhe: