25-04-2024

Eksperti i gjeodezisë thotë se objekti afër lumit në Prizren ishte ndërtuar në pronë shtetërore

Eksperti i Gjeodezisë Ferat Sezairi ka thënë se objekti afër lumit “Lumbardh” në Prizren ishte ndërtuar në pronë shtetërore.

Këtë deklaratë Sezairi e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren në rastin ku për korrupsion po akuzohet ish-inspektori i Hidro-Ekonomisë në Prizren, Avdulla Gashi.

Eksperti i Gjeodezisë Ferat Seziri lidhur me ekspertizën e tij të bërë tha se ngastra kadastrale 801-0- ZK Reqan është pronë shoqërore dhe se në këtë objekt është e ndërtuar objekti në sipërfaqe prej 84m2 dhe se ky objekt është i ndërtuar ngjit me shtratin e lumit Lumbardh.

Dhe se në ngastrën kadastrale 2429-0 është i ndërtuar  podrumi i objektit dhe se po ashtu kjo ngastër është në pronësi shtetërore.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Avdulla Gashi  avokat Rexhep Hasani deklaroi se ekspertiza e ekspertit Ferat Sezairi nuk paraqet gjendjen e cila është konstatuar në procesverbalin e datës së inspektimit më 3 tetor të 2017-ës.

Sipas tij, kjo ekspertizë është bërë në bazë të shiqimit të vendit të ngjarjes në vitin 2021 andaj edhe kjo ekspertizë nuk paraqet gjendjen faktike

Ai kërkoi nga Gjykata që kjo ekspertizë të shpallet si provë e papranueshme dhe se nuk mund të përdoret si provë për vërtetimin e gjendjes faktike.

Në fund mbrojtësi i të akuzuarit Avdulla Gashi, avokati Rexhep Hasani propozoi që si provë të administrohet vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor A-182/19 të datës 13.08.2019 e që sipas këtij vendimi është anuluar vendimi i komisionit për ankesa të Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe është aprovuar kërkesa e Nazim dhe Arif Fazliut ku gjendja në parcelat 800-0, 801-0 dhe 802-0 janë kthyer në rivendosje me vërejtje që gjendja në pronën shoqërore të trajtohet ne ligjin për trajtimin e objekteve pa leje, vendim që e kishte nënshkruar Arben Çitaku.

Pas kësaj, Prokurorja e Shtetit Ervehe Gashi, kërkoi kohë për analizimin e kësaj prove të dhënë dhe propozoi që seanca e sotme të shtyhet.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, përfundoi seancën e sotme dhe e njëjta është caktuar për datën 7 tetor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.