28-04-2024

“Eqa”, “Muja”, “Myta”

Prizrenin që nga pas lufta e kanë drejtuar tre kryetarë komunash, të cilët qytetarët zakonisht kanë preferuar t’i thirrin me shkurtesat:  “Eqa”,  “Muja” dhe “Myta”.

E përbashkëta e tyre është se janë profesorë universiteti, ndërsa ajo që i ka dalluar ata, është qasja në menaxhimin e komunës, dhe ndikimi i tyre në subjektet politike prej të cilave kanë ardhur, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Eqrem Kryeziu si lider i LDK-së në Prizren, vetë i ka fituar votat, ndërsa  gjatë kohës si kryetar komune, njëherësh ishte edhe kryetar dege. Mbahet mend për një menaxhim autoritar të komunës, ku kishte kontrollin edhe ndaj drejtorive të cilët i drejtonin partnerët e koalicionit të tij.

Përkundër ligjit që atëkohë parashihte zgjedhjen e drejtorëve me konkurs dhe aprovimin nga Kuvendi i Komunës (KK), ky arriti që t’i largojë 14 drejtorë, përfshirë edhe dy kryeshefa të ekzekutivit.

Një situatë tjetër ishte me kryetarin e dytë të pasluftës, Ramadan Mujën nga PDK. Kur më 2007 ai u zgjodh në krye të Komunës, nuk ishte kryetar i degës. Gjatë zgjedhjeve, si dhe gjatë kohës së menaxhimit të Komunës,  kishte mbështetjen e fuqishme  të lidershipit  të PDK-së, në qendër, që më shumë se në çdo komunë tjetër angazhoheshin në Prizren.

Për dallim nga Kryeziu, gjatë qeverisjes së Mujës, në menaxhimin e komunës  kishin ndikim edhe individë nga dega e PDK-së, e ndikim të theksuar kishin edhe partnerët e koalicionit. Gjatë qeverisjes së Mujës, prizrenasit mbajnë mend investime të shumta të cilat janë bërë jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat më periferike, që ishte një karakteristikë e zhvillimit lokal.

Në anën tjetër, mbahet mend edhe procesi gjyqësor maratonik ndaj Mujës dhe disa ish-vartësve të tij, i cili po zgjatë me vite, ende pa ndonjë epilog.

Për dallim nga dy të parët, fitorja e kryetarit aktual, Mytaher Haskukës, në zgjedhjet e fundit lokale ishte me një diferencë tepër të vogël votash, më pak se 300 sosh. Veç kësaj edhe partia e tij, Vetëvendosja ishte e dyta për nga numri i ulëseve në Kuvendin Komunal, gati përgjysmë më pak se e PDK, që doli forca më e madhe politike, ndonëse mbeti në opozitë.

Kjo situatë e detyroi Haskukën ta formojë një koalicion qeverisës me bazë të gjerë. Ai nuk është as kryetar dege (qendrës) i partisë së tij. Ajo që është vërejtur në qeverisjen e deritashme të Haskukës është një qasje liberale,  e cila iu ka mundësuar liderëve të partive të tjera të koalicionit, të kenë ndikimi të fuqishëm tek drejtorët e tyre, e që në disa raste edhe është karakterizuar me kundërthënie të theksuara, mes Haskukës dhe partnerëve të koalicionit.

Një karakteristikë tjetër është se përkundër premtimeve të bëra për rritjen e numrit të grave, deri në 50 % të përfaqësimit në ekzekutiv, Haskuka mbeti me vetëm me një drejtoreshë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Po ashtu, gjatë kohës së kësaj qeverisje, organi më i lartë i Prizrenit, Kuvendi Komunal ka mbajtur më së shumti mbledhje të jashtëzakonshme, për një kohë të shkurtër, tri të thirrura me kërkesë të opozitës. Seancat e tilla kanë qenë shkaku i mosmbajtjes së festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit”, gjendjes jo të mirë në arsimin prizrenas, pas dështimit të konkursit të drejtorëve të shkollave, si dhe situatës në klubin e futbollit “Liria”, pas rënies nga Superliga.

Kryetari Haskuka duhet ta kuptojë se e tërë përgjegjësia e tij për menaxhim të komunës së Prizrenit bie mbi të. Në këtë kontest edhe dështimet e drejtorëve të partnerëve të koalicionit shkojnë në kurriz të subjektit prej nga vjen, Vetëvendosjes!.

Një situatë e tillë dikton një veprim më këmbëngulës për menaxhimin e Komunës, duke bërë orvatje për përmbushjen e premtimeve të shumta, të bëra gjatë fushatës zgjedhore, e të cilat deri më tash pak janë përmbushur. / GazetaePrizrenit.net /

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.