“Është sezoni vjeshtor i serialit “Zafa”, Berisha flet për aktakuzën ndaj tij

Zafir Berisha, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate, thotë se akuza ndaj tij është një keqkuptim që kishte ndodhur mes tij dhe një zyrtari policor.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Berisha ka thënë se ky rast po shfrytëzohet sipas tij, nga trushpëlarët dhe hienat e rrjeteve sociale.

“Në këtë episod behet fjalë për një keqkuptim me një polic, Po tash është sezoni vjeshtor i serialit “Zafa” sezoni pranveror kishte 3 episode, tash në sezonin vjeshtor ky është episodi i serialit, serial ky që shfrytëzohet si “ushqim” për trushpëlarët dhe hienat e rrjeteve sociale”, u përgjigj Berisha me ironi

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 24 tetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj Berishës për veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas aktakuzës, me datë 08.06.2022, rreth orës 14:40, në rrugën “Suzi Qelebi”, në Prizren, i pandehuri Z.B., me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare – zyrtarin policor, përkatësisht të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtar tjerë policor Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar në rrugën e lartpërmendur, kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe vetura e markës “Volvo“, pronë e të pandehurit, ku i dëmtuari në xhamin e veturës i ka vendosur “njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje”. I pandehuri Z.B., me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese, dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij i kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se i pandehuri, më pas njoftimin për kundërvajtje e gris dhe copëzat e saj ia hedh në fytyrë të dëmtuarit dhe i vërsulet të njëjtit për ta sulmuar.

“I dëmtuari duke e vërejtur rrezikun se do të sulmohej nga i pandehuri, e përdorë pajisjen zyrtare “Sprej OC”, duke hedhur të njëjtin në drejtim të të pandehurit, më pas i pandehuri largohet nga i dëmtuari”, thuhet tutje.

Me këtë, Berisha ngarkohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në fund të komunikatës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.