Eshtrat e Ymer Prizrenit do të rivarrosen në Prizren
Në kuadër të aktiviteteve, të cilat janë paraparë të mbahen për shënimin e përvjetorit të 140-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP-së), do të bëhet edhe rivarrimi i patriotit dhe të njërit prej udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP), Ymer Prizrenit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se në jubileun e LSHP-së, që cilësohet si momenti i lindjes së kombit tonë, Komuna do të organizojë ngjarje të ndryshme kulturore dhe sportive.
Aktivitetet do të nisin prej datës 10 deri më 15 qershor në Prizren do të performojnë artistë nga të gjitha trojet shqiptare, në mënyrë që nëpërmes kësaj ngjarjeje madhore të shfaqen vlerat më të çmuara të kombit tonë.
Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve do të bëhet edhe rivarrimi i eshtrave të prijësit të Lidhjes, Ymer Prizrenit, i cili ka qenë i varrosur në Ulqin.
Ndryshe, rivarrimin e eshtrave të patriotit Ymer Prizreni, në oborrin e “Bajrakli xhamisë” në Prizren, që ndodhet në Kompleksin e Lidhjes , e ka kërkuar një muaj më parë edhe Ilir Gashi, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit
Ymer Prizreni ishte dijetar jurist, atdhetar, politikan, klerik dhe diplomat i shquar. Lindi në vitin 1826 në Zgatar të Opojës dhe vdiq në vitin 1886. Ishte veprimtar e intelektual i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Kryetar i qeverisë së përkohshme autonome të saj, të formuar në periudhën (1880-1881).
“Me 12 qershor është edhe Dita e Çlirimit të qytetit tonë dhe me këtë rast ftojmë të gjithë bashkatdhetarët tanë në kryeqytetin historik shqiptar, në Prizren, që t’i bashkëngjiten festës jubilare.
Zyrtarët lokal, kanë njoftuar se ditët në vazhdim do të publikohet programi nga Këshilli Organizativ.
Përndryshe, shënimi i 140 vjetorit të LSHP-së është paralajmëruar të bëhet në mënyrë madhështore në Prizren, ndërsa pos autoriteteve më të larta të Shqipërisë e Kosovës, pritet të marrin pjesë edhe ata të shqiptarëve të Maqedonisë./gazetaeprizrenit.net/