Fajdet: Mungesat elementare që e anuluan aktgjykimin në rastin Kqiraj
Rreth katër muaj pasi që Gjykata Themelore e Prizrenit i kishte gjetur fajtor dhe dënuar 10 persona në rastin e njohur për fajde ku akuzoheshin disa anëtarë të familjes Kqiraj nga Prizreni, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Prizrenit sepse ka gjetur mungesa esenciale që duhet t’i përmbajë një aktgjykim.
Aktvendimi i Gjykatës së Apelit të cilin e ka siguruar KALLXO.com evidenton shkelje elementare në aktgjykimin e Gjykatës së Themelore të Prizrenit e dhe pse ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara si kriter për liberalizim të vizave.
Kështu, Apeli e ka gjetur të bazuar ankesën e Prokurorisë dhe gjithashtu sipas detyrës zyrtare ka gjetur se aktvendimi i Themelore së Prizrenit ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit nuk ka përmbajtur emrat e kryetarit e as anëtarëve të kolegjit apo procesmbajtësit të rastit e po ashtu nuk janë përshkruar në tërësi as veprat penale për të cilat akuzoheshin të akuzuarit.
“Shkeljet konsistojnë në atë se aktgjykimi nuk është përpiluar në pajtim me nenin 370 të KPPRK-së ngase në hyrje të aktgjykimit të ankimuar të gjykatës së shkallës së parë nuk ka cekur emrat e kryetarit të kolegjit e as të anëtarëve të kolegjit dhe procesmbajtësit e kjo përbën shkelje esenciale të procedurës penale”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.
Përpos kësaj shkelje, Apeli gjithashtu ka gjetur se Themelorja nuk e ka cekur fare në aktgjykim se të akuzuarit Tunë Kqiraj, Kastriot Kqira, Gjon Kqira Marjan Kqira, Benson Buza, Gjekson Kqira janë të akuzuar për veprën “krimi i organizuar” lidhur me veprën penale të detyrimit dhe fajdes duke rënë ndesh kështu me kërkersat e Kodit të Procedurës Penale se çka duhet të përmbajë një aktgjykim.
Të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm në këtë pikë të akuzës nga Gjykata në Prizren.
Instanca e dytë e drejtësisë, përpos shkeljeve të konstatuara, Gjykatës Themelore të Prizrenit i ka obliguar që t’i administrojë edhe njëherë provat dhe të vlerësojë se a është i nevojshëm dëgjimi i dëshmitarëve-policëve të propozuar nga Prokuroria dhe gjithashtu të marrë parasysh edhe pretendimet e ankesës së prokurorisë lidhur me shkeljen e ligjit penal lidhur me atë se a është gjykuar në tërëri aktakuza apo jo.
Në këtë proces gjyqësor, Tunë Kqira, Gjon Kqira, Ekrem Leci dhe Hill Kaqinari akuzohen për shkak të veprës penale, organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Kastriot Kqira akuzohet për veprën penale fajdeja, Benson Buza akuzohet për veprën penale detyrimi, Besfort Omaj për shkak të veprës penale detyrimi.
Po ashtu, Gjekson dhe Gëzim Kqira dhe Zyrafete Hukolli akuzohen për shkak të veprës penale fajdeja.
Në lidhje me këto akuza, Gjykata në Prizren më maj të këtij viti kishte shpallur aktgjykimin me të cilin i akuzuari Tunë Kqira ishte dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg; Kastriot Kqira me 3 vjet burg, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj ndërsa dy të akuzuarit tjerë Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj janë liruar nga akuzat, raporton KALLXO.com.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, kishte thënë gjatë shpallës së aktgjykimit se Tunë dhe Gjon Kqira shpallen të pafajshëm në veprën penale të detyrimit ndërsa Kastriot Kqira e Besfort Omaj janë shpallur fajtorë për këtë vepër.
Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.
Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.
Të akuzuar në këtë rast ishin: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.