24-11-2024

“Femaktiv”: 70 % e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike

Grupi i vajzave dhe grave të Prizrenit, “Femaktiv” paralajmëron protestë simbolike të dielën për shkak të gjendjes shqetësuese sipas tyre, të ngacmimeve seksulale që po i bëhet gjinisë femërore nëpër hapësirat publike të qytetit të Prizrenit.

Një një komunikatë për media të kësaj organizatës “Femaktiv” thuhet së rastet e ngacmimeve seksuale janë duke u shtuar çdo ditë e më shumë.

“ Rasti i fundit i tentimit të përdhunimit të një gruaje në rrugën e Marashit në Prizren, është tejet shqetësues, vecanërisht marrë parasysh heshtjen institucionale ndaj ketij rasti. Rasti i tentimit të përdhunimit të një gruaje në Prizren si dhe ngacmimet e shumta seksuale, janë gjithnjë e më shumë duke i larguar gratë nga hapësirat publike. Kështu duke i frikësuar dhe izoluar ato”, thuhet në komunikatë.

Në bazë të një rapori rreth sigurisë së grave në hapësira publike në Prizren, del që 70% e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, ndërsa 76% prej tyre janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave.

“Hapësirat publike janë të dominuara nga gjinia mashkullore që kanë filluar të paraqesin edhe rrezik për gratë. Ndërsa, është bërë një kohë e gjatë që gratë dhe vajzat e Prizrenit kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me lagje te caktuara të cilat nuk kanë fare ndriçim, apo janë pjesërisht të ndriçuara, duke i’a limutuar mundësinë femrave për të lëvizur të sigurta në orët e mbrëjmes”, thuhet më tej nga Femaktiv.

Në komunën e Prizrenit, gratë dhe vajzat e reja nuk ndihen të sigurta që të vetme, apo edhe në shoqëri të grave të tjera të marrin rrugën malore apo turistike për të shkuar në Kala. E njejtë frikë është edhe për shumë lagje të tjera.

Kërkesat kryesore të OJQ-së “Femaktiv” janë integrimi i ndriçimit të shtuar publik me kamera monitoruese si dhe prania e “policisë sociale”, në mënyrë që këto hapësira të jenë në mbikëqyrjen e policisë, me ç’rast me shtimin e sigurisë në këto hapësira publike do të krijohet një mundësi për parandalimin e dhunës dhe ngacmimeve seksuale dhe krijimin e një ambienti të sigurtë për gratë.

E drejta për hapësira publike nuk mund të mohohet – ngase ajo është një e drejtë njerëzore që i garantohet të gjithë qytetarëve. Për më tepër, rastet e ngacmimeve seksuale dhe tentimet të përdhunimit janë raste të papranueshme dhe duhet të merren masa të menjëhershme.

Grupi i vajzave dhe grave të komunës së Prizrenit “Femaktiv” së bashku me qytetarët kanë vendosur të protestojnë këtë të diele më 22 korrik.2018 në ora 13:00 në rrugën e “Marashit”, me kërkesën që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për t’i parandaluar këto dukuri. Ndërkaq ky grup është i vendosur që të vazhdojë të protestojë deri sa kërkesat e tyre të realizohen dhe të ketë siguri për të gjithë.  /Gazetaeprizrenit.net/.

Asnjë koment

Comments are closed.