12-12-2024

Fenomeni i fajdeve, përse ndodh ende?

Dhënia e parave me fajde është një fenomen i lashtë që ka vazhduar përgjatë gjithë historisë. Edhe Shqipëria nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni, i cili vitet e fundit ka pasur një trend në rritje.

Personave të cilët iu nevojiten para por nuk mund t’i sigurojnë këto nga të afërm të tyre apo edhe kredive për mungesë të plotësimit të kushteve, detyrohen që të shfrytëzojnë mundësinë e marrjes parave me fajde, interesi i të cilave shkon deri në 20%.

Por sipas ligjit dhënia e parave me fajde thënë ndryshe, me interes jashtë sistemit bankar, është i paligjshme. Por perse në vendin tonë është kthyer në një fenomen prej te cilit me pas burojnë edhe ngjarje kriminale, sikurse rastet e zbuluara në Shkodër?

Ish-shefi kundër krimeve financiare, Arjan Hoxha, shpjegon se përse edhe biznesi detyrohet të marrë para me fajde.

“Krimi i organizuar i vendos në pamundësi për të kryer lirshëm aktivitetin e tyre dhe i ofron si mundësi paratë me fajde, të cilat në momentin e parë ju duken të arritshme, një muaj dy muaj, por në një moment që ata, herë pas here në disa komunikime dhe ndërveprime me ata, në një moment shumë të shpejtë, e shikojnë veten që janë të pamundur për t’iu përgjigjur kësaj barre dhe e shikojnë vete në një vorbull që nuk mund të dalin më prej asaj”, shprehet ish-shefi kundër krimeve financiare.

Hoxha, thotë se burimi ‘ parave që jepen me fajde, burojnë nga aktivitete të paligjshme.

“Kryerja e aktivitetit kriminal në fushën e krimit të organizuar, kryesisht trafikut të drogave, por edhe veprave të tjera të rënda. Akumulimi i të ardhurave nga ky aktivitet i kundraligjshëm në duart e tyre dhe tentativa e tyre që këto para ti kthejnë në para të ligjshme”.

Eksperti i ekonomisë, Besart Kadia, shpjegon se ky fenomen ndikon negativisht në tregun e huamarrjes.

“Kjo e çorienton tregun e huamarrjes në Shqipëri, e bën më pak konkurrues dhe e deformon. E frikëson si të thuash klientin në periudhën afatgjatë që ti adresohet sistemit bankar apo të marri risqe në të ardhmen”, thotë eksperti i ekonomisë.

Kadia, tregon edhe mënyrën se si mundet të ndikohet për të ulur fenomenin e fajdeve.

“E vetmja gjë që mund të bëhet është një mirinformim më i madh publik, nga ana e institucioneve përkatëse, nga ana e qeverisë por edhe nga ana e institucioneve mbikëqyrëse siç është banka qendrore për të shpjeguar këtë fenomen”, përfundon Kadia./topchannel/

Asnjë koment

Comments are closed.