14-03-2025

“Fenomeni” Vetëvendosje në rajonin e Shaqir Totajt dhe komunën e udhëhequr prej tij

Votimet e fundit treguan shumë gjëra duke shkatërruar iluzionet e disa pushtetarëve lokalë të Prizrenit, të prirë nga kryetari Shaqir Totaj, të cilët realisht nuk e kanë pritur një rezultat të tillë të Vetëvendosjes në komunën e udhëhequr nga PDK, jo vetëm në fshatra, por as në qytet. Kjo ua ka “dridhur” këmbët, meqenëse në tetor parashihen zgjedhjet lokale.

Mbështetur nga të dhënat, mund të flitet për “Fenomenin Vetëvendosje”, të cilin nuk do ta harrojë Totaj, dhe as drejtorët e tij të ekzekutivit, të cilët u shndërruan në një precedent, pasi nuk patën guxim të garojnë për deputet, siç vepruan shumë homologë në komunat tjera, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Votimet treguan se Vetëvendosje e “tundi” edhe Hasin e Prizrenit, rajonin prej nga vjen kryetari. Për më keq, VV pa pasur fare kandidat për deputet nga kjo zonë, e ka mundur keq Totajn edhe në fshatin e tij, në Gjonaj. VV atje mori vota më shumë se të gjitha partitë tjera apo 724 sosh, duke e  shtyrë PDK-në në vendin e tretë me vetëm 316 vota,  edhe pas LDK-së me 342 vota.

Rezultatet treguan se në total VV në Has ka marrë 2.678 vota, ndërsa PDK e Totajt më pak se gjysmën e tyre, apo 1.268.

Për shkak të disa karakteristikave mund të vlerësohet si “Fenomeni Vetëvendosje”. Përveçse nuk kishte kandidat, VV në fshatin e Totajt, sikur edhe në shumë të tjerë, nuk ka as struktura të organizuara, nuk dihet për kryetarët, pastaj nuk kanë mbajtur tubime të shumta, e as nuk janë parë klerikë në fushatën e tyre. Përpos kësaj, ata as nuk shkojnë të organizuar as nëpër ceremoni ngushëlluese.

Rezultati si duket ua ka fanitur dëshirën atyre që mendojnë se zgjedhjet lokale janë tjetër gjë, duke e ndërlidhur këtë me mos nominimin ende të kandidatit të VV-së për kryetar komune. A është një fakt ky, se VV fitoi dyfishin e votave kundrejt partive të tjera, në shumë zona, si Has e Zhur pa pasur fare kandidat?! Njëjtë ishte edhe në Lagjen e Trimave ( Tusuz ).

Pra fillimisht Totaj s’pati guxim të kandidojë, pasi asnjëherë nuk ka arritur ta fitojë dhe tjetra VV e ka mundur pa pasur fare kandidat. A është ky një tregues për reputacionin real që gëzon ai.

Sipas raportit VV ka fituar bindshëm edhe në Prizren, përkundër vetëlavdërimit të Totajt për projekte të realizuara, sidomos në rregullimin e qendrës, të cilën shumëkush dhe opozita e vlerëson si investim përreth shtëpisë së kryetarit, për t’ia rritur vlerën asaj, ashtu siç e ka punësuar djalin me nusen e tij ( të renë).

Sipas rezultateve nga votat vendore, VV në Prizren ka marrë 40 %, ndërsa PDK 22%. / Gazeta e Prizrenit.

Lexo edhe:

Shaqir Totaj – kryetari i Prizrenit që punësoi më së shumti familjarë

Asnjë koment

Comments are closed.