24-11-2024

Fermeri nga Korisha e Prizrenit hedh në gjyq Ministrinë e Bujqësisë

Rëndësia e dhive është tejet e madhe, pasi qumështi i tyre është ndër më të mirët dhe tashmë edhe spitalet e marrin atë për shërimin e sëmundjeve. Rëndësia e kësaj kafshe shtëpiake është e njohur ndër shekuj tek shqiptarët, dhe për shkak të kushteve të mira i riu nga Korisha e Prizrenit ka filluar kultivimin e kësaj kafshe shumë profitabile. Liridon Ahmetaj është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se në vitin 2017 ka aplikuar për një grant për ndërtimin dhe renovimin e stallës për dhi, dhe ishte përfitues tij në Ministrinë e Bujqësisë, pasi më parë kishte nxjerrë lejen komunale dhe ka nisur dhe përfunduar të gjitha punimet.

Ankesa nuk i është shqyrtuar me muaj

“Në dhjetor kam bërë kërkesën për pagesë, ka ardhur një komision vlerësues me dy ekspertë dhe ma kanë pranuar punën dhe kanë thënë që plotësohen standardet. Nuk më është bërë pagesa, ka ardhur komisioni tjetër rikontroll me dy ekspertë të tjerë dhe edhe ata e kanë pranuar punën dhe kanë thënë që plotësohen standardet dhe për çudi prapë nuk më është bërë pagesa dhe më ka ardhur vendimi refuzim i grantit me arsyen se nuk plotësohen standardet. Kam kundërshtuar vendimin dhe kam bërë ankesë në AZHB dhe pas një kohë me ka ardhur prapë vendimi për refuzim të grantit me arsyetimin e njëjtë”, është shprehur ai. Sipas tij, këta zotërinjtë në Udhëzimin administrativ 02/2017, të cilin e kanë krijuar vetë, nuk e kanë përcaktuar asnjë kriter apo standard për dhi ne shtojcën numër 5, dhe pas kësaj ka bërë ankesë në Ministri. “Ankesa nuk më është shqyrtuar me muaj dhe kam shkuar në takim me këshilltaren e ministrit Danica Laban dhe ajo me ka thënë që nuk ka palë të tretë që guxon të ta refuzoj, kur dy komisione e kanë pranuar. Po ashtu, edhe zv.ministri Vesel Krasniqi më ka thënë që është marrë vendim pozitiv dhe pas një kohe më ka ardhur vendimi nga ministria si refuzim, sepse kinse kam ndërtuar shtëpi me garazh, nuk e di ku ka garazh 18×9 m ku të qëndrojnë 380 krerë dhi. Unë për pjesën e banimit për dhoma të punëtorëve kam aplikuar në fillim, ashtu dhe ashtu më është pranuar dhe miratuar dhe pastaj pas një kohe kam bërë ankesë edhe te kryeministri. Por, që ende nuk më është kthyer përgjigje. Dhe, tani kohën e fundit kamë qenë në takim me ushtruesin e detyrës se kryeshefit të AZHB-së, Ekrem Gjoka dhe i ka parë të gjitha faktet dhe më ka thënë që ty të paskan bërë padrejtësi kolegët e mi dhe nuk mundemi të bëjmë asgjë, mirëpo vazhdo me gjykatë. Unë i kam paditur në maj 2018 në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, është shprehur ai.

Stallë moderne

Liridon Ahmetaj ka studiuar në Fakultetin e Shkencave MjekësoreTerapeutike, profili logopedi në Prishtinë, dhe njëkohësisht si hobi ushtron punën e fermerit, ku merret me mbarështimin e dhive! Ai tregoi se në stallë ka 340 krerë dhi dhe 40 edha për momentin! “Tani, Ministria më ka vështirësuar punën shumë dhe nëse vazhdojnë kështu dhe nuk mi lëshojnë paratë, atëherë unë do të dështoj dhe nuk do të merrem fare me to “, tregon i pikëlluar Ahmetaj për gazetën “Kosova Sot”. “Shpresoj që do të më zgjidhet shpejt problemi, qoftë nga Gjykata apo nga Ministria, dhe do vazhdoj të rimëkëmbem, sepse për momentin jam në borxhe të mëdha. Stalla ime është njëra ndër me modernet në rajon”, është shprehur ai. Fermeri Liridon Ahmetaj është në hall me Ministrinë e Bujqësisë dhe pret ta zgjidhë me gjyq, sepse Ahmetaj, në vitin 2017 ka qenë përfitues i grantit nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.