Festivali “Zambaku i Prizrenit” mbahet pa praninë e publikut në tetor
Festivali tradicional i këngës së lehtë Zambaku i Prizrenit, sivjet shënon edicionin e tridhjetë e një. Për shkak të kushteve të krijuara nga situata e pandemisë COVID-19 dhe masave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së virusit, komuna e Prizrenit ka vendosur që sivjet festivali të organizohet pa prezencën e publikut dhe të transmetohet drejtëpërdrejtë në RTK.
Mbrëmja e Zambakut do të mbahet më 3 tetor 2020 në bahçen e Kino Lumbardhit në Prizren, ku gjithsej do të garojnë gjashtëmbëdhjetë këngë si dhe do të ndahen katër çmime. Juria Profesionale për shpalljen e këngëve fituese do të bëj përzgjedhjen e tri këngëve më të mira të festivalit për çmimin e parë, dytë dhe tretë, ndërsa të gjithë teleshikuesit do të kenë mundësinë të votojnë online nëpërmjet uebfaqes së festivalit për këngën e tyre të preferuar, e cila edhe do të rrëmbej çmimin kryesor të festivalit atë të Zambakut të Prizrenit.
Lexo edhe:
Ku mbeti premtimi i kryetarit Haskuka për zhbllokimin e rrugës transitore?
Nga të gjitha këngët konkuruese të edicionit të 31-të, juria profesionale/seleksionuese e përbërë nga: David Tukiçi – Prof. Kompozitor/Dirigjent (kryetar i jurisë), Mentor Zajmi – Prof. Klarinetist (anëtar) dhe Edon Ramadani – Prof. Dirigjent (anëtar), kanë përzgjedhur 16 këngët garuese të festivalit si në vijim:
- Për ty – Ruzhdi Sadiku
Muzika dhe Orkestrimi: Ruzhdi Sadiku, Vargjet: Bashkim Buxhovi
- Larg dhe afër – Laorjan Ejlli
Muzika: Oleg Gjerga, Vargjet: Prec Zogaj, Orkestrimi: Gazmend Kraja
- Melosi hynjor – Qëndresa Bunjaku
Muzika dhe Vargjet: Arijeta Daci, Orkestrimi: Hysni Klinaku
- Më i bukuri vend – Besmir Shishko
Muzika: Veton Perolli, Vargjet: Musa Bushrani, Orkestrimi: Artan Elshani
- Mall – Shaban Krasniqi
Muzika: Shaban Krasniqi, Vargjet: Ismail Kadare, Orkestrimi: Arbër Krasniqi
- Kthimi në Atdhe – Rakipe Karaj & Mario Zaja
Muzika dhe Orkestrimi: Ylli Kalaja, Vargjet: Aulon Kalaja
- Të takohemi në Zambak – Dardan Gjinolli
Muzika, Vargjet dhe Orkestrimi: Dardan Gjinolli
- Lamtumirë moj gotë – Gentian Gojani
Muzika, Vargjet dhe Orkestrimi: Shkëlqim Raci
- Je frymë për mu – Eda Cerriku
Muzika dhe Orkestrimi: Orges Kallaku, Vargjet: Denata Toce
- Bulamazsin – Hürmet Celina
Muzika dhe Vargjet: Hyrmet Celina, Orkestrimi: Sertan Sallahi
- Kur jam me ty – Niki Mjeda
Muzika: Anton Kaftalli, Vargjet: Lindita Halili, Orkestrimi: Ilir Zoga
- Vdeksha n’sytë e tu – Fioralba Syla
Muzika, Vargjet dhe Orkestrimi: Naim Krasniqi
- Hëna dhe ti – Eranda Bytyqi & Fatih Qukiqi
Muzika dhe Orkestrimi: Anida Gjinali, Vargjet: Fiona Thaqi
- Zemra zemrën vet e gjenë – Ana Lushi
Muzika: Jetmir Barbullushi, Vargjet: Jorgo Papingji, Orkestrimi: Shpëtim Saraqi
- Nën hijen e lisit plak – Agon Tufa
Muzika: Hysni Klinaku, Vargjet: Milaim Islami, Orkestrimi: Agron Syla
- Një natë vere në Prizren – Tolga Kazaz
Muzika dhe Vargjet: Kujtim Gërmizaj, Orkestrimi: Artan Elshani
Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat. Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij. Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” mbahet për çdo vit në fund të qershorit/fillim të korrikut, dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake.
Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë.
Ditëve në vijim do të publikohen detaje të reja rreth organizimit të festivalit. Për më shumë info, mund të shihni faqen zyrtare të festivalit në Facebook dhe Instagram (Zambaku i Prizrenit).