19-04-2024

Ku mbeti premtimi i kryetarit Haskuka për zhbllokimin e rrugës transitore?

Në Prizren dje është shënuar “Dita pa Makina”, që sipas zyrtarëve lokal kishte për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për shfrytëzimin sa më racional të automjeteve, për të pasur sa më pak ndotje të ajrit e sa më shumë ambient e ajër të pastër.

Në këtë kontekst për një orë është ndërprerë lëvizja e automjeteve në rrugët qendrore të qytetit, ndërsa pjesë e aktivitetit me çiklistët ishte edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Do theksuar se shumica e vendeve të rajonit për të shmangur ngulfatjen nga automjtet nëpër qendër të qytetit, si zgjidhje për trafikun e dendur kanë ndërtuar rrugë transitore.

Një të tillë para 5 vitesh, gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës e ka ndërtuar edhe Prizreni, por rruga që lidh lagjen Arbana me Dardaninë, përkatësisht magjistralen për në Gjakovë me atë për Prishtinë, mbeti jofunksionale, shkaku i bllokimit nga një shtëpi.

Për shkak të shpronësimit çështja kaloi në gjykatën e Prizrenit, por edhe pse kaluan disa vite ende nuk ka një vendim, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Ndonëse hapjen e saj nuk mundi ta bëjë ish-qeverisja e PDK-së, me ardhjen në pushtet këtë premtoi ta realizojë Haskuka i Vetëvendosjes!

Lexo edhe:

Komuna e Prizrenit del keq edhe në fushën e Infrastrukturës rrugore (Dokument)

Për këtë çështje u fol disa herë edhe nga këshilltarët e Kuvendit Komunal, derisa Haskuka  tha se për zgjidhjen e çështjes së shtëpisë që ka bllokuar rrugën e re transitore, ka biseduar edhe me disa asamblistë, dhe nëse gjykata nuk ndërmerr ndonjë veprim rreth saj, atëherë do të veprojë Kuvendi Komunal, për ta sjellë një vendim rreth kompensimit të saj.

“Gjithsesi besoj që sivjet kjo rrugë do të hapet”, pat premtuar Haskuka në mbledhjen e KK-së, më 28 mars 2019. Por, tashmë kaloi një vit e gjysmë nga ajo kohë dhe nuk ka ndonjë lëvizje të dukshme në këtë drejtim.

Për këtë shtrohet pyetja: Ku mbeti premtimi i kryetarit?/GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.