FFK-ja gjobit me 2000 euro Ballkanin për akuzat publike për kurdisje
Ballkani i Suharekës është gjobitur nga Federata e Futbollit e Kosovës lidhur me akuzat publike që i kishte bërë për kurdisje të rezultateve. Të premten Disiplinori i FFK-së e ka gjobitur Ballkanin me 2000 euro.
Të dielën e kaluar, pasi u bë lider në Superligë, Ballkani përmes një letre publike bëri akuza të rënda ndaj FFK-së dhe “disa klubeve”. Sipas Ballkanit, disa klube, disa mbetje politike dhe FFK-ja janë të përfshira në kurdisje.
“FFK-ja në mënyrë mjeshtërore kryen punën e saj duke vendosur se cili klub do të bëhet kampion, cili do të fitojë Kupën e cili do të mbetet pa asgjë”, ka shkruar Ballkani.
Menjëherë FFK-ja përmes Komisionit të Garave inicioi procedurë disiplinore dhe më pas procedurë hapi Komisioni Disiplinor. Dhe të premten u mor vendimi përfundimtar.
“FC Ballkani nga Suhareka në procedurë të hapur disiplinore nga Komisioni i Garave për deklarata ofenduese drejtuar organeve të FFK-së, lidhur me ecurinë e rrjedhës së ndeshjeve, me çka shkel kodin e sjelljes sportive dhe cenon shprehimisht aktet normative të FFK-së, duke tejkaluar suazat normale të veprimtarisë së lejuar sportive dhe shoqërore. Ballkani dënohet me shumën prej 2000 eurove”, thuhet në vendimin e Disiplinorit.
Vetë hapja e procedurës ndaj Ballkanit, nga njohës të futbollit ishte cilësuar si përpjekje e keqe për të mbajtur klubet të heshtura. FFK-ja ka shkuar tutje duke gjobitur klubin lider të Superligës.
Ditë më parë FFK-ja formoi Task-Forcë për të luftuar kurdisjet e dyshuara. Ndërkohë dyshimet e akuzat për kurdisje janë rritur goxha shumë në javët e fundit.