25-04-2024

Fillimin e vitit shkollor, opozita në Prizren e vlerëson si “të lënduar”

Në Prizren sot, ka nisur viti i ri shkollor 2018/19, të cilin opozita e ka kritikuar duke e vlerësuar si fillim “të lënduar “ për shkak të dështimit në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, pastaj konkursit të papërfunduar për mësimdhënës, sikurse edhe paqartësisë rreth rivlerësimit të nxënësve me njësha në Shkollën e Mjekësisë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Përpos gjimnazit “Remzi Ademaj”, procesi mësimor sot është paraparë të fillojë në të gjitha 51 shkollat e nivelit fillore dhe në 5 shkollat e mesme të komunës së Prizrenit.

Sipas një njoftimi paraprak, për shkak të kryerjes së punimeve në objekt nga  Komuna dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, mësimi në gjimnazin “Remzi Ademaj” parashihet të nisë me 10 shtator.

“GazetaePrizrenit.net” një javë më parë, përmes postës elektronike është interesuar rreth përgatitjeve të bëra për fillimin e vitit të ri shkollor, por nuk ka marrë përgjigje nga Drejtori i Arsimit.

Ndërkohë, fillimin e procesit mësimor e kanë kritikuar përfaqësuesit e dy subjekteve opozitare në Prizren.

Simir Krasniqi, shef i Grupit të këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal (KK) të Prizrenit, këtë e ka ndërlidhur me mungesën e përgatitjeve të bëra nga DKA, që siç thotë ka rezultuar me shtyrjen e mësimit në “Remzi Ademaj”.

“Pos kësaj një numër i madh i shkollave do të ballafaqohen me vështirësi për një fillim të mbarë dhe të suksesshëm,  për shkak se konkurset e shpallura nga DKA për zgjedhjen e mësimdhënësve ende nuk janë mbyllur”, tha ai.

Shefi i Grupit të kuvendarëve të AAK-së, Ilir Baledeaj, ndërkaq shprehet se fillimi i vitit të ri shkollor pa drejtorët e zgjedhur të shkollave dhe me ushtrues detyre është shenjë e keqqeverisjes së pushtetit aktual.

“Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Arsimit nuk arritën dot që, në afatin e parë ta ndajnë paqësisht mes subjekteve të koalicionit kulaçin e drejtorëve të shkollave, kështu që fillimin e vitit të ri e lanë në duar të ushtruesve të detyrës”, ka thënë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Krasniqi i PDK-së, ndërkaq thotë se nuk ka dijeni për ndonjë vendim që ka të bëjë me vazhdimin e detyrës për drejtorët të cilët u ka skaduar mandati.  “Është shkelje ligjore nëse drejtorët nuk kanë Vendim për vazhdimin e detyrës, pasi konkursi për Drejtor është anuluar dhe rishpallur prapë”, tha ai duke kujtuar se procesi i përzgjedhjes, zgjat edhe një muaj e gjysmë, pas ankimit dhe deri sa vendimet i kthen Këshilli i pavarur.

Baldedaj shkon edhe më tej duke thënë se edhe lista e drejtorëve në konkursin e ri është e tëra me militantë partiak të partive të pushtetit, prandaj moszgjidhja e drejtorëve me kohë do ta dëmtoj procesin mësimor në këtë vit shkollor.

“Përplasjet politike mes partnerëve të koalicionit shkollën më të ndjeshme në Prizren, shkollën e mesme të mjekësisë do ta lënë edhe për një kohë të gjatë pa drejtor, pasi shumë punëtorë të arsimit hoqën dorë nga konkurrimi për pozitën e drejtorit në këtë shkollë, duke dështuar konkursin”.

Pos, moszgjidhjes së drejtorit, në shkollën e mjekësisë sipas Simir Krasniqit, ish-drejtor i kësaj shkolle ka edhe dy çështje të tjera.

“Ka një Vendim të DKA dhe SIA,  që nxënësit me nota të dobëta ose që kanë humbur vitin të rivlerësohen, por kjo nuk është kryer nga ana komisionit të caktuar nga shkolla, e cila këtë Vendim e ka konsideruar të jashtëligjshëm”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, shkelja tjetër nga ana e DKA ka të bëjë më atë që në mënyrë jashtëligjore është shpall konkursi për mësimdhënës bashkëpunëtorë profesional, mjekë në Shkollën e Mjekësisë, veprim ky i DKA në Prizren që është skandaloz, pasi nga themelimi i saj kanë punuar bashkëpunëtorë profesional, ndërsa DKA bën shkelje ligjore, duke shkelë Udhëzimin Administrativ 5/2015 Normativin për mësimdhënësit  e arsimit profesional.

Në fund përfaqësuesit e subjekteve opozitare ua kanë uruar fillimin e mësimor nxënësve dhe mësimdhënësve, duke u dëshiruar  një vit të mbarë dhe te suksesshëm. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.