25-04-2024

Fillon rigjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, prokurori bën plotësimin e aktakuzës

premten në Gjykatën Themelore në Prizren ka filluar rigjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Enver Bytyqi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën e së premtes, para leximit të aktakuzës prokurori i rastit Mehdi Sefa tha se dëshiron të bëjë plotësimin dhe precizimin e aktakuzës, pas kthimit të rastit në rigjykim nga Gjykata e Apelit, duke u bazuar në vërejtjet e tyre.

“Në fillim dëshiroj të precizoj periudhën kohore, gjatë vitit 2014 deri më 2017, në cilësinë e personit zyrtarë inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë nuk i përmbush detyrat zyrtare ashtu që shkel ligjin për ndërtim me nr.200-4/2015 neni 64, duke mos sjellë fillimisht një vendim për rrënim vullnetar dhe konkluzionin për rrënim të cilën e ka pasur për detyrë i akuzuari. Meqë investitori nuk kishte leje ndërtimi fare krejt kjo me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin duke mos ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të rrënimit të objektit ndërtimor të ndërtuar në lagjen “Jeni Mahallë”, nga investitori NTSH “Shigjeta e Pashtrikut”, me pronarë Fehim Hamiti, i cili nuk ka pasur leje për 13 kate të ndërtuar, i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbaleve, ku ka kryer inspektimet por nuk ka sjellë konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu që ka mundësuar dobinë pasurore për periudhën sa ka qenë i caktuar të inspektoj objektin e ndërtimit ka mundësuar 8 kate për investitorin NTSH “Shigjeta e Pashtrikut”, me pronar Fehim Hamiti, me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë nga neni 422 par 1 të KPRK-së”, tha prokurori Sefa.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Bytyqi, avokati Sylë Hoxha, ka kërkuar afat shtesë për të shqyrtuar dhe analizuar precizimin e aktakuzës.

“Prokurori i shtetit sot ka bërë precizimin e aktakuzës sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, aktvendim PAKR.nr.368/20 të datës 17 dhjetor 2020, kërkojmë një afat të arsyeshëm për të analizuar precizimin e aktakuzës dhe për tu përgatitur për shqyrtimin e radhës”, tha avokati Hoxha.

Pas kësaj kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, ka aprovuar kërkesën e avokatit Hoxha, ka ndërprerë seancën e së premte, ndërsa seancën e rashës e ka caktuar me 14 maj 2021 me fillim në ora 13:15.

Ndryshe, sipas aktgjykimit të shpallur me 27.07.2020 nga gjykatësja Raima Elezi,i akuzuari Bytyqi është dënua me 1 vit e 6 muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Elezi kishte deklaruar  se vendimi u morr si rezultat i shikimit të gjithë procesverbaleve, në të cilat ishte  shënuar se objekti është i ndërtuar pa leje.

Mirëpo me aktgjykimin e Apelit i nxjerrur me 17.12.2020, të cilin ka arritur ta siguroi “Betimi për Drejtësi”, është aprovuar ankesa e të akuzuarit Enver Bytyqi, dhe është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren dhe çështja është kthyer në rigjykim.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit gjen se ankesa e mbrojtjes është e bazuar, ngase siç rezulton i akuzuari ngarkohet për periudhën kohore nga viti 2011 gjer në vitin 2017, se si person zyrtar nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e objektit ndërtimor në lagjen Jeni Mahallë, ndërsa rezulton në faqen 6 të arsyeve të dhëna për këto rrethana të fakteve se marrëveshja mbi partneritetin publiko – privat në lagjen Jeni Mahallë ishte lidhur me datë 06.02.2011, çfarë rezulton se periudha kohore për të cilën ngarkohet i akuzuari si rrethanë faktike nuk rezulton nga provat që janë administruar nga gjykata e shkallës së parë, ngase të gjitha provat i referohen periudhës 2013 – 2017, prandaj për Gjykatën e Apelit rezulton se koha e kryerjes veprës penale nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë.

Sa i përket elementit të figurës së veprës penale – mos përmbushjes së detyrës zyrtare siç është argumentuar më lartë tek shkeljet esenciale, Apeli thotë se  dispozitat e Ligjit për Ndërtim nuk i japin asnjë kompetencë personit zyrtar në cilësinë e inspektorit, ngase kompetencat e personit zyrtar në cilësinë e inspektorit rregullohen për Ligjin për Inspektoratin, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal, prandaj edhe për këtë rrethanë gjykata e shkallës së parë rezulton se nuk ka vërtetuar në mënyrë të plotë faktet që lidhen me elementin e figurës së veprës, që është mos përmbushja e detyrës.

Tutje në aktgjykim thuhet se  duke vlerësuar tërësinë e provave që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor rrjedh se pikërisht ndaj subjektit ndërtues në Lagjen Jeni Mahallë, i akuzuari kishte bërë inspektime të vazhdueshme që rezultojnë procesverbale të inspektimit me detyrimet për ndërprerjen e punimeve, aktvendime për eliminimin e armaturës së armiruar, kërkesa për fillimin e procedurës kundërvajtëse, aktvendime të vitit 2014 – 2015 dhe 2017 për ndërprerjen e të gjitha punimeve gjer në sigurimin e lejes së ndërtimit, kërkesat për fillimin e procedurës edhe në vitin 2017 në muajin qershor, të gjitha këto veprime rezultojnë se ishin ndërmarrë nga Drejtoria e Inspeksionit kur i akuzuari ende ishte me detyrë në cilësinë e tillë zyrtare, deri në muajin 9 të vitit 2017 kur ishte pezulluar nga detyra, të gjitha këto rrethana rezultojnë për Gjykatën e Apelit se gjykata e shkallës së parë duke mos arsyetuar dashjen dhe qëllimin e të akuzuarit si element qenësor të figurës së veprës penale, e bën të rezultojë që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë edhe në raport me dashjen dhe qëllimin të mos jetë vërtetuar në mënyrë të plotë.

Sa i përket shkeljes së ligjit penal, Gjykata e Apelit ka gjetur se përderisa janë konstatuar shkelje të dispozitave procedurale dhe gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë, posaçërisht me kompetencën e të akuzuarit siç pretendohet se nuk i ka zbatuar detyrat, rezulton edhe shkelja e ligjit penal.

Apeli në fund thotë që në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet që të rishqyrtojë provat në këtë çështje penale duke vlerësuar të gjitha provat një nga një, të saktësojë detyrimet ligjore të të akuzuarit si kompetencë e tij dhe të vlerësojë mos përmbushjen e atyre detyrimeve si kompetencë, të vërtetojë saktësisht kohën e kryerjes së veprës penale, duke pasur për bazë edhe pretendimet e tjera të palëve në procedurë si dhe te arsyetoj qëllimin dhe dashjen e te akuzuarit, mbi çfarë rrethanash faktik rezulton ajo sipas detyrimit ligjor.

Po ashtu, Apeli ka kërkuar që në rigjyikim të merret në pyetje pronari i NTSH “ Shigjeta e Pashtrikut ”, për të vërtetuar saktësisht veprimet e të akuzuarit në raport me këtë ndërmarrje investuese për ndërtim.

Ndryshe për këtë rast ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 7 mijë euro gjobë.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore Prizren, më 19 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit, duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, e kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Hamiti. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.