23-11-2024

Filmimet nga masakra e Krushës, ja pse janë zhdukur

Në 4 prill 1999 BBC transmetoi disa pamje që tronditën botën. Bëhet fjalë për pamjet e asaj që njihet si Masakra e Krushës.

BBC tha në raportimin e atëhershëm se ka mundur t’i sigurojë pamjet ekskluzive të masakrës serbe ndaj shqiptarëve, nga një kameraman amator i cili duke vënë në rrezik jetën e nxori këtë video jashtë Kosovës.

Ai është Milaim Bllanica dëshmitar i masakrës së Krushës dhe banor i këtij fshati. Raportimi u bë nga gazetari George Alagiah.

Kjo kronikë e BBC pasoi shumë reagime. Robin Cook, sekretari për punët e jashtme i Britanisë së Madhe, shkoi vetë në Krushë, nga ku bëri deklaratën e mëposhtme:

“Unë ndihem i indinjuar thellë. Fajtorë janë jo vetëm ata që i bënë vrasjet por edhe ata që i urdhëruan vrasjet nga Beogradi”.

Më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 241 persona, 7 fëmijë, 5 femra, ndërsa ende janë të pagjetur 64 persona

Sot 21 vite pas kësaj masakre, në Tiranë është duke u zhvilluar një debat, në qendër të të cilit është vendosur Lulzim Basha. Një sherr i zakonshëm i teatrit politik të Tiranës nga ata që do shuhen shpejt, për një tragjedi të jashtëzakonshme, shokuese, urdhëruesit e së cilës mbeten ende të pa ndëshkuar.

Po çfarë e lidh Bashën me filmimet e Masakrës së Krushës?

TCH sjell si provë një intervistë të Bellanicës, ku ai rrëfen se kasetën ia ka dorëzuar Lulzim Bashës, me premtimin që do hetohej, por ajo nuk përfundoi kurrë atje ku duhej dhe tani figuron e zhdukur si provë.

“Kur e kanë parë fillimisht regjistrimin, ata të BBC filluan të qanin. Kemi bërë një marrëveshje që të më largonin mua jashtë. Por nuk u bë asgjë. Më kanë marrë dhe më kanë çuar në një si sallon dhe më kanë regjistruar të gjithë deklaratën. Ata kanë marrë kopjen ndërsa origjinalin ja kam dhënë Lulzim Bashës” – ka thënë Bellanica.

Bellanica gjatë intervistës për TCH

Ai shton se e ka takuar edhe më pas Bashën (i ka shkuar në zyrë) dhe i ka kërkuar t’i kthejë mbrapsht kasetën, por ai e ka mohuar.

Vetë Basha i cili në atë kohë punonte në strukturat e misionit të OKB në Kosovë tha pak ditë më parë se nuk e njihte dhe nuk e kishte takuar asnjëherë Bellanicën.

Pas transmetimit në TCH, gazeta zyrtare e PD, Rilindja Demokratike e quan Bellanicën “të keqpërdorur” duke shtuar madje se vetë BBC e ka përgënjeshtruar, sipas tyre, këtë version.

Ndërkohë sot është shpërndarë një filmim ku shfaqet deputeti Dashamir Peza që njihet edhe si mik i Ramës. Në vitin 1999 Peza punonte si shoqërues dhe përkthyes i gazetarit britanik George Alagiah, autori i transmetimit në BBC.

Disa pamje të publikuara nga faqja online Hashtag marrë nga televizioni publik norvegjez provojnë prezencën e Dashamir Pezës gjatë takimit të gazetarit të BBC me Bellanicën.

Pamjet janë të datës 4 Prill 1999 dhe në to duken 3 persona: Gazetari britanik George Alagiah, dëshmitari Milaim Bellanica (në mes) dhe përkthyesi Dashamir Peza (në rreth)

Hashtag që drejtohet nga ish-gazetari i DITA, Habjon Hasani shkruan se “këto pamje kthejnë përmbys gjithë lojën e deritanishme dhe zbulojnë se shqiptari i parë që ka shtënë në dorë pamjet e plota filmike të Bellanicës në fakt është Dashamir Peza, miku i kryeministrit Edi Rama”.

Madje, sipas Hashtag, emrin e Pezës e ka përmendur dhe dëshmitari Bellanica për “Insajderin” në Kosovë, por Top Channel e ka fshehur këtë pjesë, sipas tij.

“Çka më vjen mas randi prej ish prokurorit të Shqipërisë, kam shku me e padit Dashamir Pezën, prokurori Arben Rakipi nuk më ka pranu në asnjë gjykatë në Tiranë me e ba padinë për Dashamirë Pezën që nuk më largun prej Shqipërisë, ata lekë që kanë qenë për mu i ka marrë tjetërkush.”, – është shprehur Bellanica.

Filmimi sot nuk gjendet më. Edhe BBC e ka hequr nga versioni online me justifikimin e pamjeve tronditëse.

 

—–

©Copyright Gazeta DITA

Asnjë koment

Comments are closed.