Njëra ndër betejat e famshme të UÇK-së kundër forcave serbe është ajo e Pashtrikut, në të cilën ra heroikisht Komandant Mujë Krasniqi së bashku me 36 luftëtarë, në një pritë nga forcat serbe, me 14 dhjetor 1998, afër kufirit Kosovë-Shqipëri, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Për të arritur deri në vendarenën e luftimeve të Heronjve të UÇK-së, tek “Te Likenet e Hasit” mbi fshatrat Kushnin e Lugishtë, duhet marrë rrugën nga Prizreni në drejtim të fshatit Nashec apo Gjonaj. Pasi të mbërrini në fshatin Planejë, duhet marrë kthesa djathtas, nëpër shiritin e asfaltuar në drejtim të Pashtrikut.
Nga fotot që sjell “Gazeta e Prizrenit” duket se është rregulluar edhe hapësira para Monumentit, në të cilin janë shkruar emrat e atyre, që ranë heroikisht, duke u përjetësuar në altarin e lirisë.
Ky vend i historisë krenare, të luftëtarëve të cilët po sillnin armatim nga Shqipëria për në Kosovë, tashmë pritet të vizitohet nga shqiptarë të viseve të ndryshme si dhe të huaj. Vizita këtu duhet të jetë edhe në progamet shkollore!
Aty shihen edhe gjurmë nga vendqëndrimi i forcave serbe, prej nga kishin qëlluar, në një betejë legjendare, duke përdorur armatim të ndryshëm si murtaja, minahedhës dhe automatikë.
/ GazetaePrizrenit.net /