Franca i kërkon falje Shqipërisë për ngatërrimin e himnit
Didier Deschamps, përzgjedhësi i Francës në futboll, i ka kërkuar falje Shqipërisë, pas skandalit me himnin kombëtar, para ndeshjes së shtunën në Paris.
Në vend të himnit kombëtar shqiptar, në Paris u intonua himni i Andorrës. Kjo shpiu në shtyrjen e ndeshjes për disa minuta, pasi lojtarët e Shqipërisë refuzuan të nisnin ndeshjen pa u korrigjuar gabimi.
Gjithsesi, posa u gjet himni i duhur, spikeri në stadium bëri një gafë tjetër duke iu kërkuar falje tifozëve të Armenisë, në vend të atyre të Shqipërisë.
“I kam kërkuar falje ekipit në bankinë dhe gjyqtarit”, ka thënë Deschamps në konferencën për media pas fitores 4 me 1 në Grupin H kualifikues për “Euro 2020”.
“Është diçka që s’është dashur të ndodhte, por ndodhi. E kuptoj pozitën e shqiptarëve dhe është logjike që pritëm deri të intonohej himni kombëtar i tyre para ndeshjes”, ka shtuar francezi, transmeton “The Telegraph”.
Kingsley Coman shënoi dy herë për Francën, ndërsa Olivier Giroud dhe Jonathan Ikone realizuan nga një gol. Sokol Cikalleshi realizoi golin ngushëllues për kuqezinjtë. Në tabelën e këtij grupi, Franca prin me 12 pikë, aq sa kanë edhe Turqia e Islanda në pozitat dy dhe tre. Shqipëria ka gjashtë pikë në pozitën e katërt, me Moldovën që me tri pikë është e pesta dhe Andorra pa pikë e fundit./koha,net