FSK-ja nxjerr trupat e pajetë të minatorëve të minierës së Artanës
Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë të Kosovës, pas mesnate, kanë arritur të nxjerrin trupat e pajetë të dy minatorëve të Minierës së Artanës.
Operacioni i nxjerrjes së trupave ka zgjatur disa orë, për shkak të specifikave të punës.
Trupat e pa jetë i janë dorëzuar institutit të mjekësisë ligjore për procedura të mëtutjeshme.
Ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se trupat e pajetë të dy minatorëve janë nxjerrë rreth orës 00:30.
“Raportohet se në vendin e punës kanë humbur jetën dy minatorë meshkuj kosovarë, si pasojë e shembjes së dheut. Rreth orës 00:30 trupat e pajetë janë nxjerrë nga rrënojat e minierës me ndihmën e FSK-së, policisë dhe minatorëve”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Ndryshe Qeveria në detyrë e Kosovës sot pritet të marrë vendimin për ndarjen e 30 mijë eurove për dy familjet e minatorëve që humbën jetën.