Ftohen dy lojtarë të Ballkanit në grumbullim te Kosova
Ftesa për Leart Paqaradën, i cili luan me St Paulin në Gjermani, nuk do të jetë risia e vetme në listën e Kosovës për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve.
Trajneri francez, Alain Giresse, ka vendosur t’u dërgojë ftesë edhe dy lojtarëve të Ballkanit, Lindon Emërllahu dhe Lumbardh Dellova.
Një shpërblim për arritjet e këtyre futbollistëve me ekipin nga Suhareka, kampion në fuqi i Kosovës dhe pjesëmarrës në fazën e grupeve të Conference League.
Emërllahu dhe Dellova kanë spikatur në fazat eliminatore në Kupat e Europës, duke nisur nga Championsi, Europa League e deri te play off-i i Conference League.
Emrat e sipërpërmendur kanë qenë pika kyçe në formacionin e Ilir Dajës në këtë sukses të paimagjinuar më parë për skuadrat e Superligës së Kosovës.
Kosova në muajin shtator do të zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve. Dardanët së pari do të udhëtojnë për t’u ndeshur me Irlandën e Veriut me 24 shtator, kurse tre ditë me vonë në “Fadil Vokrri” e mirëpresin Qipron./SS/