Fundjava e kobshme në Prizren

Shkruan: Qazim Morina

Prizreni sapo kaloi një javë të kobshme, që nuk do të harrohet gjatë. Dy ditët që shkuan, morën jetën e katër qytetarëve të rajonit tonë, tre prej të cilëve të grup-moshës së re, ndërsa njëri i asaj të mesme.

Bilancin me përmasa tragjike, të nisur të shtunën si pasojë e aksidentit në rrugën Prizren-Zhur, ku humbën jetën tre anëtarë  të familjes  Sope nga Zhuri, babait me dy djemtë e tij, e përmbylli 22 vjeçari nga Mushtishti i Suharekës, Krenar Jemini, vëllai i vetëm i tri motrave.

Pa përmbyllur Ditën e Zisë, për të aksidentuarit në  Zhur, banorët e kësaj ane, morën lajmin tjetër të kobshëm për vdekjen e një djaloshi të ri, që humbi jetën në vendin e tij të punës.

Dhembja e pikëllimi u shtuan. Bora e paktë që ra mëngjesin e së shtunës, skuqi tokën me gjakun e tre punëtorëve nga Zhuri, për të cilët punëdhënësi i tyre kishte fjalët më të mira, për sjellje edhe kulturë pune.

Për më keq, të dielën kur ishte ditë pushimi, viktimë e punës ra edhe një djalosh, që punonte në sektorin privat. Një bilanc i tillë fatkeq, fundjavën e fundit të muajit shkurt të këtij viti, duhet të jetë një alarm për institucionet e vendit.

Në ditët me mot të lig e borë, policia duhet t’i shtojë lëvizjet nëpër rrugët kryesore. Policët tanë asessi nuk duhet të shihen vetëm si ndëshkues (gjobitës) në rast kundërvajtjesh në trafik, por marrë parasysh standardin e qytetarëve dhe gjendjen e rrugëve, ata duhet t’i sinjalizojnë shoferët edhe për përshtatjen e lëvizjes me kushtet e rrugës, ndërsa prania e tyre padyshim se do të reflektohet në disiplinimin e vozitësve. Edhe kompanitë duhet ta kryejnë punën në mirëmbajtjen e rrugëve, ndërsa ngasësit të jenë shumë më të kujdesshëm. Kjo për të mos lejuar që rrugët tona të shndërrohen në vija të vdekjes, apo gjymtimit dhe shkatërrimit të pasurisë.

Në anën tjetër, institucionet duhet të shtojnë kontrollin edhe për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e masave të sigurisë në sektorin privat.

Së paku nga pësimet të nxjerrim mësim! /GazetaePrizrenit.net